Tiranë, 16 qershor 2004 – Një konsorcium italian me emrin “De Eccher”, ia ka prezentuar Qeverisë shqiptare ofertën e saj për ndërtimin e rrugës së re Durrës – Kukës për një periudhe tre vjet e gjysmë me një kredi të siguruar tashmë, rreth 300 milionë euro. Ata kanë prezentuar projektin e tyre në hotel “Rogner” në prani të grupeve te ekspertëve, lobit të deputetëve për rrugën Durrës- Kukës dhe Shoqatës së Ndërtuesve Shqiptarë. Drejtori i përgjithshëm i kësaj kompanie, Gianfranco Sparvieri, pohoi që kompania e tij ia ka dorëzuar Qeverisë shqiptare një projekt që në muajin dhjetor të vitit të kaluar. Oferta e këtij projekti bazohet në ndërtimin e krejt rrugës brenda tre vjet e gjysmë, ndërkohë që shlyerja e kredisë do të fillonte 6 muaj pasi rruga të ketë përfunduar krejtësisht. Sipas kompanisë italiane, nëse punimet fillojne brenda këtij viti ato parashikohet të përfundojnë në mesin e 2008-s dhe kësti i parë i shlyerjes së kredisë do të fillonte nga fundi i këtij viti. Kredia është siguruar nga banka gjermane “EEST LB”. Ndërkohë që oferta e “De Eccher” garantohet nga SACE. Sparvieri ka sqaruar më tej se autoritetet shqiptare ende nuk ia kanë kthyer një përgjigje kompanisë, qoftë pozitive apo negative.
Projekti konsiderohet joatraktiv nga Qeveria shqiptare
Mirëpo, duket se projekti i kompanisë italiane nuk është shumë atraktiv për palën shqiptare pasi ai parashikon ndërtimin e linjës së re rrugore nëpërmjet kredive tregtare, ndërkaq qeveria mendon ta ndërtojë përmes formës koncensionare për të cilën është rënë dakord qeveria dhe Ministria e Transportit. Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe institucionet e tjera financiare ndërkombëtare e kanë këshilluar Qeverinë shqiptare që të limitizojë marrjen e kredive me kushtet e tregut për shkak të frenimit të rritjes së borxhit të jashtëm. Pikërisht për këtë qëllim ende nuk është miratuar një projekt i “General Electric” për rikonstruksionin e linjës hekurudhore, Tiranë – Durrës. Mirëpo, kompania italiane ka paraqitur argumentat e saj, duke u shprehur se kredia do të shlyhet nga shteti shqiptar me taksën e posaçme që shqiptarët paguajnë për ndërtimin e kësaj rruge pa qenë nevoja për borxh të ri. Ndërkohë deri tani vetëm oferta e kompanisë italine duket se është serioze dhe këmbëngulëse për ndërtimin e rrugës në një afat rekord. Për këtë qëllim ata kanë bërë edhe një studim fisibiliteti të tyrin për rrugën ku shpjetësia e përshkrimit të saj nga Durrësi në Morinë nuk është më shumë se 3 orë. Projekti i kompanisë italiane pothuajse është i njëjtë me atë që ka miratuar Këshilli Kombëtar i Rrugëve, i cili parashikon kalimin e trasese sipas variantit më të shkurtër, Durrës – Milot-Thirrë- Kolsh-Kukës-Morinë. Nga ana tjetër fondet e grumbulluara nga taksa e rrugës Durrës- Kukës mësohet të jenë rreth 70 milionë dollarë, ndërkohë që ka filluar ndërtimi i segmentit të parë Milot-Rrëshen me një gjatësi rreth 28 kilometra dhe një gjerësi të rrugës rreth 20 metra. Deri tani në këtë segment është ndërtuar vetëm 1 kilometër me forcat vendase të xhenios.
Pse Durrës – Kukës nuk mund të ndërtohet me koncesion?
Grupi italian “DE ECCHER” është shprehur se rruga e re Durrës-Kukës nuk mund të ndërtohet nëpërmjet koncensionit për faktin se edhe për shumë vjet trafiku i levizjeve në këtë aks nuk paraqitet me leverditshmëri.
“Ne kemi objekte që po ndërtohen me koncension në Itali dhe në shumë vende të tjera, por trafiku i lëvizjeve në këto zona e justifikon këtë formë investimi”, -tha drejtori i pergjithshem i DE ECCHER, Sparvieri.
Po kështu ndërtimi i objektit me koncension zgjat shumë për shkak të plotësimit të procedurave që kërkon kjo formë. Ndërkohë që ndërtimi nëpërmjet kredisë nuk e sforcon buxhetin e shtetit shqiptar dhe nuk rrit borxhin e jashtëm të saj, është shprehur ai, duke pasur parasysh se për rrugën Durrës- Kukës po paguhet një taksë e posaçme nga shtetasit shqiptarë. Me këtë fond do të shlyhet në vitet në vazhdim edhe kredia, ka sqaruar përfaqësuesi i DE ECCHER.
ECIKS / Koha Ditore