Investitorë turq interesohen për tregun bankar të Kosovës

Një delegacion i bankierëve nga Turqia ka vizituar të martën Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës ku është pritur nga Guvernatori Gërguri dhe bashkëpunëtorët e tij të cilët kanë njoftuar mysafirët mbi profilin e sistemit bankar dhe ekonomik të Kosovës dhe mundësive për të investuar në të.

Guvernatori Gërguri ka nënvizuar përparësitë e sistemit bankar dhe atij ekonomik të vendit tonë si bazë e fortë ankorimi për investime të huaja.

Në veçanti, në rrafshin makroekonomik është nënvizuar stabiliteti financiar dhe disciplina fiskale në vend e përcjell me normën më të lartë të rritjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto në regjion, ndërsa në rrafshin e sistemit bankar është nënvizuar shkalla e lartë e kapitalizimit të tij, likuiditeti i kënaqshëm dhe niveli njëshifror i kredive joperformuese.

Gjithashtu, në takim janë theksuar edhe mundësitë e gjera që ofron ekonomia e vendit tonë për rritje të ndërmjetësimit bankar edhe në sektorë deri tash më pak të bankarizuar si prodhimi, bujqësia, turizmi, etj.

/Telegrafi/