Investimet e huaja në tregun shqiptar

Investimet e huaja në Shqipëri për vitin 2004 kapin shifrën e rreth 180 milionë dollarëve, ose të 60 dollarëve për një person

Tiranë, 6 korrik 2005 – Bizneset prodhuese apo edhe përpunuese të fushave të ndryshme në vendin tonë kohët e fundit janë shtuar së tepërmi. Një pjesë mjaft e madhe e këtyre ndërmarrjeve me profile prodhimi kanë si investitorë pronarë të huaj që kanë investuar kapitale të konsiderueshme në Shqipëri. Krahu i lirë i punës është një nga shkaqet që i tërheq këto kompani për të filluar aktivitetet e tyre në vendin tonë. Tendencat e ndërmarrjeve të huaja për të nisur aktivitete biznesi sa vjen dhe shtohen, duke i dhënë kështu mundësi zgjerimi tregut tonë të punës.

Histori investimesh
Në vitet 1993–1994 filluan edhe investimet e para të kompanive italiane, për shkak se vendi fqinj kishte më tepër mundësi për ta kontrolluar tregun shqiptar, dhe për të vendosur se cilat ishin fushat e përshtatshme për investime. Ndërkohë, gjatë trazirave të vitit ‘97 pati një rënie të konsiderueshme investimesh të huaja dhe, për më tepër, largime të investitorëve të deriatëhershëm. Shumë prej tyre e patën të vështirë t’i rifillonin aktivitetet e mëparshme apo edhe të rihapnin aktivitete të profileve të reja, duke i kthyer kështu shpinën njëherë e përgjithmonë vendit tonë. Në vitin ‘99 disa kompani italiane synuan të blinin minierat e vendit tonë apo t’i përdornin ato me formën e koncesioneve ndaj shtetit. Interes të madh në fushën e shfrytëzimit të minierave pati një kompani italiane, e cila në verën e vitit ‘99 synoi të lidhte me shtetin tonë një kontratë shfrytëzimi për minierën e bakrit, gjë që nuk u realizua. Pas viteve 2000 pati një ngritje të investimeve të huaja, të cilat vazhdojnë akoma edhe sot t’i ushtrojnë aktivitetet e tyre në formë kompanish prodhuese. Në përgjithësi, prodhimet nuk konsumohen në tregun shqiptar, por eksportohen përsëri jashtë vendit.

Në vitin 2004 investimet e huaja në Shqipëri prekin shifrën e rreth 300 milionë dollarëve, ku përfshihet edhe privatizimi i Bankës së Kursimeve. Duke mos llogaritur privatizimin e kësaj banke, që kapi shifrat e 120 milionë dollarëve, investimet direkte për këtë vit mbetet të jenë rreth 180 milionë dollarë. Sipas këtyre shifrave, del se për këtë vit investimi i huaj në Shqipëri për frymë popullsie ka qenë rreth 60 dollarë për person. Një raport i publikuar së fundi nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) nxjerr se Shqipëria ka potencial për të thithur 3,3 miliardë dollarë investime të huaja direkte, ndërkohë që nga viti 1992 deri në fund të vitit 2003 ajo ka thithur vetëm 1 miliard. Rreth 68% e potencialit është aktualisht e pashfrytëzuar.

Kompanitë
Sot në Shqipëri numërohen qindra kompani të huaja, sidomos italiane, që zhvillojnë aktivitete prodhimi apo edhe aktivitete përpunuese në profile të ndryshme. Më të përhapurat janë ndërmarrjet që prodhojnë me lëndë të parë të importuar, pasi edhe rreth 80% e prodhimeve të tyre synojnë tregjet e huaja, ndërkohë që në tregun vendës konsumohet një përqindje fare e vogël, e cila në pjesën më të madhe shkon drejt tregjeve dhe jo drejt dyqaneve luksoze. Ndërmarrjet më të mëdha janë përqendruar në fabrikimin e këpucëve, aty ku është fokusuar edhe më shumë investimi italian. Madje, një pjesë e kompanive italiane që operojnë në Itali kanë bërë të mundur hapjen e aktivitetit të shumë firmave shqiptare, të cilat punojnë me teknologji italiane. Investimet e kompanive të huaja në Shqipëri nxiten së tepërmi për shkak të krahut të lirë të punës. Shqipëria është ndër vendet që kanë një fuqi punëtore që paguhet shumë më lirë, në krahasim me vendet e tjera të rajonit. Kjo është edhe arsyeja më e madhe pse shumë kompani të huaja vazhdojnë të investojnë në vendin tonë shifra të konsiderueshme, që ndihmojnë tregun tonë të punës, duke ulur papunësinë.

ECIKS / Biznesi