I mundshëm dhe dështimi

UNMIK-u ende është duke e rishikuar kornizën e marrëveshjes, për të cilën kanë negociuar PTK-ja dhe Cable & Wireless (CW). Vendimin përfundimtar e merr administratori i Kosovës. Askush nuk di të tregojë për hapat e mëtejshëm

PRANVERA MUSA

Prishtinë, 11 tetor 2006 – Ka mundësi të dështojë krijimi i aleancës strategjike ndërmjet Postës dhe Telekomit të Kosovës me kompaninë “Cable Wireless”.

Ilir Salihu, drejtor i Departamentit për Ndërmarrjet Publike në Agjencinë Kosovare të Mirëbesimit, tha se marrëveshja duhet të aprovohet nga UNMIK-u, e pastaj të nënshkruhet.

“UNMIK-u është duke e rishikuar kornizën e marrëveshjes. Këtë është duke e bërë edhe bordi i CW-së”, tha Salihu.

Sipas tij, marrëveshjen duhet ta aprovojë edhe kryeadministratori. Në rast se dështojnë negociatat, atëherë i mbetet bordit të shqyrtojë nëse një kompani e tretë ka paraqitur propozim të përshtatshëm për PTK-në, apo të hapet tender i ri. Mirëpo, ai nuk paragjykon se mund të dështojë marrëveshja, pasi të dyja palët janë të interesuara për këtë.

“Negociatat kanë vazhduar me nënshkrimin e marrëveshjes fillestare në muajin prill”.

PTK-ja dhe CW- ja kanë bërë negociata të vazhdueshme, të cilat kanë rezultuar me kornizën e marrëveshjes për aleancë strategjike.

“Në prill të këtij viti, PTK-ja dhe CW-ja e kanë nënshkruar marrëveshjen fillestare, gjatë së cilës kjo kompani e ka kryer periudhën e ‘gjetjes së fakteve’”, tha Afërdita Çarkaxhiu, zyrtare për informim në PTK.

Zëdhënësja nuk ka përgjigje se kur do të fillojnë bisedimet me CW-në.

“Të dyja palët janë të interesuara për këtë marrëveshje dhe janë duke punuar për finalizimin saj”.

Sipas zyrtarëve të PTK-së, koncepti i Aleancës Strategjike nuk është shkëmbim parash, por një bashkëpunim reciprok, në mënyrë që ato të ofrojnë shërbime cilësore në treg.

“Aleanca strategjike do t’i mundësonte PTK-së që të bëhet qendër rajonale e shërbimeve të telekomit”, tha Çarkaxhiu.

Pyetjes nëse do të dështojnë negociatat me CW-në a do të hapet tender i ri, apo do të fitojë kompania e tretë ofertuese, ajo i është përgjigjur shumë shkurt: “Është herët të paragjykojmë”.

Pronari i kompanisë “Cable & Wireless” është aksionar në Monaco Telekom dhe ky është një konflikt interesi.
Bisedat me CW-në kanë filluar pas prishjes së marrëveshjes fillestare që PTK-ja kishte me British Telekomin.

ECIKS / LAJM