PRISHTINË, 23 SHTATOR – Vendimi i Këshillit Ekonomik Fiskal për heqjen e tarifave doganore për importin e grurit dhe të miellit është përshëndetur nga Oda Ekonomike e Kosovës ndonëse kohë më parë ajo ka kërkuar shuarjen e KEF-it.
Këtë vendim e kanë përkrahur edhe prodhuesit e mëdhenj të miellit, derisa për prodhuesit e vegjël do të jetë një shtytës drejtë falimentimi. Safet Gërxhaliu nga OEK-u thekson se duke pasur parasysh se në treg është krijuar një kaos dhe për të minimizuar atë një hap i tillë i Qeverisë vlerësohet pozitiv. “Pasi që nuk përmbushet nevoja me grurë nga prodhimi vendës në Kosovë, heqja e taksave për importin e grurit dhe miellit bëhet për mbrojtjen e popullatës”, ka thënë Gërxhaliu. Sipas tij, situata e krijuar me çmime të larta të bukës ka qenë më tepër spekulim i tregtarëve, mirëpo tashmë janë krijuar të gjitha parakushtet për të zbritur çmimin e bukës.
Ai nuk është optimist se qytetarët do të kenë mundësi të blenë bukë me çmim të njëjtë sikur edhe para të shtrenjtohej, por kjo mbetet në kompetencë të tregtarëve, të cilët sipas tij kanë qenë shkaktarë të krijimit të kaosit me miell. Lidhur me atë se importi i miellit pa doganë do ta dëmtojë biznesin kosovarë, posaçërisht prodhuesit e miellit, Gërxhaliu thekson se nuk do të ketë ndikim në këtë drejtim, por duhet të ketë një kontroll më të lartë institucional.
Në anën tjetër, vendimi i KEF-it, është i mirëseardhur vetëm për prodhuesit e mëdhenj të miellit, të cilët tashmë do të përballen me një konkurrencë më të lartë për të cilën thonë se janë të përgatitur. Mirëpo, prodhuesit e vegjël, ka rrezik të pushojnë së funksionuari karshi importit të miellit nga jashtë, për shkak të kostos së prodhimit dhe sasisë së vogël të përpunimit. Zëvendësdrejtori i përgjithshëm i kompanisë “M&Sillosi”, Adnan Merovci, pohon se sa i përket afarizmit vendimi i KEF-it është pozitiv dhe e mirëpret atë, megjithëse duhet të jetë e qëndrueshme edhe për miell edhe për grurë, përndryshe thotë se do të krijojë telashe.
“Në përgjithësi ky është një gjest i mirë, për qytetarët e Kosovës dhe për afarizmin dhe e mirëpresim heqjen e doganës për grurin dhe miellin, por duhet të jetë i qëndrueshëm për të dy produktet, sepse nëse lejohet vetëm mielli atëherë na dëmton neve prodhuesve”, thotë Merovci. Gjithashtu, sipas tij, efektet e heqjes së këtyre taksave të miratuara, do të paraqite në treg sapo të filloj të implementohet ky vendim, me që rast duhet të zbresin edhe çmimet e bukës. Kompania e tij, sipas Merovcit, është e gatshme t’i bëjë ballë importit nga jashtë mirëpo shumë mullinj më të vegjël do ta pranojnë me vështirësi një gjë të tillë për shkak të kapaciteteve të vogla prodhuese që kanë.
Këtë e pranon edhe përfaqësuesi i shoqatës së mullisëve të Kosovës, Bekim Kryeziu, njëherësh edhe pronar i mullirit “Burimi Company”, në Lypjan, sipas të cilit shumë prodhues të miellit janë para falimentimit. “Nuk ka grurë në treg, nëse edhe një javë vazhdon kjo gjendje atëherë mbi 100 prodhues të miellit do të falimentojnë”, thekson Kryeziu. Ai e ka mbyllur tashmë mullirin e tij dhe nuk prodhon, pasi që nuk ka grurë për të përpunuar dhe lajmi i heqjes së taksave doganore për miellin dhe grurin nuk e shqetëson shumë, por ka frikë se rrugën e tij do ta trasojnë edhe shumë prodhues të tjerë.
ECIKS / Marrë nga Koha Ditore