Haradinaj merr më tepër kompetenca në ekonomi

Petersen: “Ne do t’i ndërrojmë pozitat përmes kosovarizimit të institucioneve ekonomike. Kosovarët do të kenë shumicën, ndërsa ndërkombëtarët pakicën”

Prishtinë, 25 dhjetor 2004 – Shefi i UNMIK-ut, Soren Jessen-Petersen premtoi në Prishtinë se misioni që ai drejton do të kalojë në pozitën e këshilldhënësit, ndërsa me shumicën e kompetencave do të merret qeveria vendore. Në aspektin ekonomik, ai tha se kryeministri Ramush Haradinaj në të ardhmen do ta drejtojë Këshillin Ekonomik Fiskal, i cili merret me hartimin e politikave fiskale dhe cakton parametrat buxhetorë në vend. Në të kaluarën KEF drejtohej nga kreu i UNMIK-ut.

Petersen është pajtuar që të transferojë tek institucionet vendore menaxhimin e pyjeve në Kosovë, ndërsa premtoi ristrukturimin e Autoritetit Bankar dhe të Pagesave të Kosovës (që luan rolin e Bankës Qendrore) në mënyrë që qeveria të ketë më tepër përfaqësues në Bordin Drejtues.

“Ne do t’i ndërrojmë pozitat nëpërmes kosovarizimit të institucioneve ekonomike. Kosovarët do të kenë shumicën, ndërsa ndërkombëtarët pakicën (e menaxhimit të çështjeve ekonomike)”, tha kreu i administratës ndërkombëtare në Kosovë.

Petersen dhe Haradinaj kanë diskutuar gjithashtu për situatën energjetike në vend dhe implementimin e standardeve.
Problem kryesor për momentin në Kosovë është privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore. Agjencia Kosovare e Mirëbesimit, e cila është e ngarkuar me këtë proces është në varësinë e ndërkombëtarëve. Shpesh drejtues të saj janë akuzuar për bllokim të procesit të privatizimit si dhe përfaqësues të biznesit kosovar kanë kërkuar që kompetencat e privatizimit të kalohen te qeverisja vendore.

“Prioritet për vitin e ardhshëm do të jetë plotësimi i standardeve në bashkëpunim me qeverinë e Kosovës e cila është shumë aktive”, tha Nikolaus Lambsdorff gjatë një takimi me gazetarët mbi situatën ekonomnike në vend. Ai është i njohur në Kosovë si njeriu i cili ka bllokuar për nëntë muaj procesin e privatizimit në Kosovë.
Duke cituar raportet e Fondit Monetar Ndërkombëtar, kreu i Shtyllës IV tha se është raportuar progres në shumë sektorë të ekonomisë. “Sipas raporteve të FMN-së, ka rritje të sektorit privat për 2-3 për qind në dy vitet e fundit. Ata shohin progres në ndërtimin e institucioneve, ndërsa kosovarizimi i institucioneve është treguar i sukseshshëm”, tha Lambsdorff, i cili në fund të janarit kthehet në vendin e tij, për të shërbyer në Shërbimin e Jashtëm Gjerman.

Sa i përket kalimit të kompetencave te institucionet vendore, ai tha se transferimi do të vazhdojë, ndërkohë që përmendi bekimin e Nju Jorkut për këtë çështje.

ECIKS / Biznesi