Hapet panairi i pijeve dhe ushqimit

Në Pallatin e Rinisë në Prishtinë është hapur panairi ndërkombëtar i ushqimit dhe pijeve “Agrokos & Drinks 2010”, në të cilin po i ekspozojnë produktet e tyre 160 kompani nga Kosova dhe rajoni.

Në kuadër të këtij panairi, i cili është organizuar nga Ministria e Bujqësisë dhe kompania CEO, do të zhvillohen një varg aktivitetesh, ku do të bëhen prezantime të produkteve dhe promovime të tjera.

Ministri i Bujqësisë, Blerand Stavileci, tha se panairi ka rëndësi, pasi promovon produktin para konsumatorëve. Kosova, sipas tij, ka produkte shumë cilësore, të cilat mund të eksportohen në tregun e Bashkimit Evropian.

Luzim Krasniqi, nga kompania CEO që ka organizuar këtë panair, tha se edicioni i dhjetë i panairit është shndërruar në një platformë të fuqishme promovimi për prodhuesit.

Panairi do të jetë i hapur deri më 23 tetor.