Guvernatori i Bankës Shqiptare në takimin vjetor të FMN-së

DUBAI, 25 SHTATOR 2003 – Guvernatori i BSH, Shkëlqim Cani, gjatë qëndrimit në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe ku po zhvillohet takimi vjetor i Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, ka zhvilluar disa takime me personalitete të bankingut qendror dhe të institucioneve financiare ndërkombëtare, bënë të ditur burime te BSH.

Në takimin me drejtorin ekzekutiv të Autoritetit për Banka dhe Pagesa të Kosovës, z. Donat Branger, Guvernatori Cani ka diskutuar përgjithësisht mbi situatën ekonomike dhe veçanërisht mbi zhvillimet në sistemet financiare në të dyja vendet. Cani dhe Branger ranë dakort për shkëmbim të asistencës teknike midis dy institucioneve si dhe për vendosjen mbi baza të rregullta të trainimeve e kualifikimeve të specialistëve.

Banka e Shqipërisë dhe Autoriteti për Banka dhe Pagesa të Kosovës do të shohin mundësinë e përmirësimit të mëtejshëm dhe të zyrtarizimit të marrëdhënieve mes dy institucioneve. Në takimin me z. Kosroë K. Zamani, Drejtor për Evropën Juglindore dhe Azinë Qendrore në Korporatën Financiare Ndërkombëtare(IFC), pjesë e Grupit të Bankës Botërore dhe me z.William Buiter, shef- ekonomist pranë Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), u diskutua në përgjithësi mbi zhvillimet ekonomike në Shqipëri dhe marrëdhëniet e Bankës së Shqipërisë me institucionet financiare ndërkombëtare.

ECIKS / Balkanweb