Gjithçka po e pret statusin

E ardhmja e Kosovës – e pavarur ose pjesë e Serbisë – mbetet ende e pasigurt. Por, interesimi i investitorëve të huaj për këtë vend të pasur me rezerva nëntokësore është i madh.

Vjenë, 20 janar 2008 – Nëse pas zgjedhjeve të së dielës në Serbi do të gjendet një zgjidhje e shpejtë për statusin e Kosovës, mbetet ende në pikëpyetje. Mirëpo, vendit i duhet një ardhmëri e sigurt edhe për ekonominë dhe shanse më të mira, që të tërheqë shpejt investitorët e mëdhenj.

E pasur me rezerva nëntokësore
Kosovarët kanë shpresa të mëdha në veçanti në pasuritë e mëdha nëntokësore: nën bregoret dhe malet e Kosovës gjenden metale të çmueshme si zinku, plumbi, nikeli, kromi dhe ari. Pas një vlerësimi të ri gjeologjik të kryer gjatë vitit 2005 vlerësohet se këto rezerva të jenë edhe më të mëdha se ç’është mendar deri më sot.

Në fokus të veçantë janë rezervat e thëngjillit, për sasinë e të cilave Kosova radhitet e treta në Evropë. Nxjerrja e këtyre rezerva gjigante të thëngjillit është e lirë dhe e thjeshtë, pasi bëhet në miniera të hapura. Një numër i madh i konsorciumeve dhe kompanive energjetike me padurim presin shenjen e startit, për të filluar modernizimin e dy termocentraleve të lodhura për vdekje të Kosovës dhe për të ndërtuar një termocentral të ri, aq të nevojshëm. Gjigantët gjermanë të energjisë RWE dhe EnBW tanimë kanë shfaqur interesimin e tyre për këtë projekt, ashtu sikur edhe prodhuesi çek CEZ dhe ai italian Enel.

Duhet sqaruar raportet
Para se të fillohet me modernizimin urgjent e të domosdoshëm të infrastrukturës energjetike, „duhet përcaktuar statusin e Kosovës. Dhe në miniera duhet sqaruar raportet pronësoro-juridike“, sqaron eksperti për tregti të jashtme me Ballkanin i Odës Ekonomike të Austrisë, z. Georg Krauchenberg.

Këto paqartësi, ndikojnë që investitorët e huaj, përkundër interesit të madh, t’i shtyjnë vendimet e tyre. „Tek ne pothuajse nuk ka fare kërkesa nga kompanitë austriake“, thotë Krauchenberg, dhe kjo për arsye se, momentalisht, për shkak të Serbisë nuk duan të eksponohen.

Kujtim Dobruna, që udhëheq në Vjenë me përfaqësinë e Agjencisë së Kosovës për Promovim të Investimeve, thotë se ata tanimë kanë identifikuar rreth 600 investitorë potencial nga regjioni gjermanofolës. Ai sqaron se brenda këtij viti pritet të merret vendimi për termocentralin e ri „Kosova C“, për ndërtimin e të cilit do të investohen të paktën 3,5 miliardë euro.

Papunësia e lartë
Misioni i Kombeve të Bashkuara nuk ka arritur që gjatë tetë viteve të shkuara të drejtojë ekonominë e vendit në atë mënyrë, që dy problemet kryesore ekonomike – papunësia e lartë prej rreth 30 për qind dhe prodhimi fare i ulët vendor – të zgjidhen ose të zbuten, sqaron Johann Günther. Ish-vice presidenti i Universitetit të Danubit në Krems tashmë për nëntë muaj me radhë po i ndihmon studentët kosovarë në Prishtinë në kuadër të Agjencisë për Integrim Evropian, një nismë kjo austriake.

Sipas vrojtimeve të tij, ndërmarrësia e vogël është duke lulëzuar, dhe po bëhet kështu bartëse e rritjes ekonomike (gjatë 2006 rreth tre për qind), megjithatë nga kreditë e lira të institucioneve ndërkombëtare financiare nuk mund të përfitohet ende, për shkak të deindustrializimit në shkallë të gjerë, sqaron ai.

Johanna Ruzicka, DER STANDARD

http://derstandard.at/?url=/?id=3188620