Prishtinë – Qeveria e re e Kosovës do ta korrigjojë Strategjinë dhe Planin Zhvillimor të Kosovës 2007-2013 që është financuar nga Qeveria e kaluar, para se të dalë para konferencës së donatorëve.
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuqi tha se Qeveria ka sugjerime për strategjinë zhvillimore. “Gjithsesi, ne do ta shqyrtojmë këtë strategji, por ne edhe sa kemi qenë opozitë kemi pasur vërejtje dhe propozime për strategji për zhvillim ekonomik”,tha Kuqi. Hartuesi i kësaj strategjie, Muhamet Sadiku, nga instituti për hulumtime zhvillimore “Riinvest”, tha se kjo strategji për të cilën janë shpenzuar 660 mijë euro as nuk ka dalë në diskutim, edhe pse ka kohë që është përfunduar. “Ne e kemi dorëzuar në Qeveri qysh më 18 dhjetor të vitit 2006 këtë strategji e qysh po duket e kanë futur turshi”, tha Sadiku. Sipas tij, kjo strategji është dashur të dalë në diskutim publik, më pas të nxirret si draft dhe të finalizohet. “Por deri më tash askush as nga Qeveria e re nuk më ka kontaktuar, siç po shihet gjithë ajo punë po mbahet në sirtarë”, tha Sadiku.
Hartuesit e kësaj strategjie nuk e kanë pasur të drejtën e implementimit të saj, pasi që ishkryeministri i Kosovës, Agim Çeku, ia pati marrë kompetencat sekretariatit që kishte hartuar strategjinë duke ia kaluar për implementim Ministrisë për Ekonomi dhe Financa. Çeku pati marrë vendim që ky sekretariat të mos funksiononte më. Sekretariati i Strategjisë Zhvillimore të Kosovës, i themeluar enkas për hartimin dhe implementimin e strategjisë, me vendim të ish-kryeministrit ishte shpërndarë më 31 dhjetor të vitit 2006, ndërsa punën përfundimtare të strategjisë dhe koordinimin e grupeve teknike punuese ishte paraparë ta kryente Ministria e Ekonomisë dhe Financave.
Sadiku ka shprehur brengën se kjo strategji me këto vendime ka mundësi që të dështojë. Strategjia është dashur të implementohet nga 22 grupe punuese nga të gjitha ministritë. Ai tha se mjetet për këtë strategji janë dhënë nga Qeveria e Kosovës dhe nga Qeveria suedeze SIDA. Hartuesit e kësaj strategjie kanë pritur se ky dokument do të definojë prioritet e Qeverisë.
Strategjia ka paraparë një rritje ekonomike prej 5.5 për qind deri në vitin 2010, kurse prej vitit 2010 deri në 2013 rritje ekonomike deri në 6 për qind. Sadiku pati thënë në konferencë për media pasi që kishte përfunduar draftin e parë se kjo strategji do të pasqyronte të ardhmen e Kosovës deri në vitin 2020 dhe Kosovën e pas-statusit. Ai e ka përsëritur disa herë se kjo strategji bëhet për një Kosovë të pavarur, ku do të definohen prioritetet kryesore të Qeverisë. Sipas kësaj strategjie, prej vitit 2008 shpenzimet duhet të orientohen përmes këtij dokumenti. Sekretariati për hartimin e Strategjisë dhe Planin Zhvillimor të Kosovës ka vepruar nën ombrellën e Kryeministrisë. Kjo strategji është e katërta me radhë, pasi tri para saj kanë dështuar, edhe pse për to janë shpenzuar para të mëdha. Strategjia e katërt ka të përcaktuara prioritet e Kosovës në fushën e zhvillimit ekonomik dhe social. Strategjia është fokusuar në çështje sektoriale, ndër të cilat janë varfëria, mjedisi, zhvillimi hapësinor,zhvillimi rural, integrimet evropiane, aspektet gjinore, aspektet e integrimit të minoriteteve, etj.
Marrë nga Koha Ditore