Gjithçka gati për regjistrimin e popullsisë në Kosovë

Prishtinë, 20 prill 2007 – Regjistrimi i dytë testues, i mbajtur në nëntor të vitit të kaluar nga Enti i Statistikave të Kosovës dhe Eurostati është vlerësuar pozitivisht, ka thënë sot ministrja e MSHP-së, Melihate Tërmkolli.

Sipas Tërmkollit, kryesuese e Komisioni Qendror për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, regjistrimi i dytë testues ka qenë pozitiv. “Ka disa rekomandime më shumë të natyrës teknike, nevojiten edhe disa përmirësime në punën e mëtejshme por angazhime dhe përmirësime do të ketë deri në ditën kur do të mbahet regjistrimi i popullsisë”.

Komisioni Qendror për regjistrim pritet t’i propozojë Kuvendit të Kosovës diskutimin për përgatitjet e deritanishme për regjistrimin e popullsisë dhe ai të sjell përfundimet. Sipas ligjit, Kuvendi, së bashku me shefin e UNMIK-ut, duhet të vendosin për datën e regjistrimit të përgjithshëm të popullsisë.

Tërmkolli ka thënë se janë bërë të gjitha përgatitjet për mbajtjen e regjistrimit të përgjithshëm, i cili pritet të realizohet në nëntor të këtij viti dhe se nuk do të ketë nevojë të pritet një vit, pas miratimit të rezolutës për Kosovën, siç propozohen në planin e Ahtisaarit.

ECIKS / Telegrafi