Prishtinë, 17 nëntor – Kosova do të përfitojë një ndihmë financiare prej 21 milionë eurove nga Gjermania. Christine de Barros, përfaqësuese e Ministrisë së Jashtme Gjermane, pas nënshkrimit të marrëveshjes me Bexhet Brajshorin, nga Qeveria e Kosovës, dhe Andreas Uitkovski, nga Shtylla e Katërt, tha se shteti gjerman ofron në total 21,5 milionë euro, kryesisht për energjetikë.
“Nga këto para, me 8 milionë do të financohet një program në sektorin e energjisë dhe janë para shtesë nga 11,5 milionë euro që kemi zotuar vitin e kaluar për sektorin e energjisë. „Ndërkaq, 2 milionë euro të tjera, sipas saj, janë dhënë për bashkëpunimin financiar në kuadër të efikasitetit të energjisë.
„Me marrëveshjen që e kemi nënshkruar, ne i kemi zotuar mjetet e buxhetit të Qeverisë gjermane për vitin 2006, ndërsa shpenzimi i tyre varet nga kohëzgjatja e realizimit të projekteve. Në fakt, paratë do të investohen në rehabilitimin e një ekskavatori që do të shfrytëzohet në mihjen e re të Sibofcit, ndërsa komponenta e dytë e projektit ka të bëjë me ndërtimin e një nënstacioni të ri, i cili quhet “Peja 3” dhe e mbulon territorin e Dukagjinit. Sipas Bexhet Brajshorit, projektet fillojnë të realizohen këtë vit, ndërsa do të vazhdojnë edhe vitin e ardhshëm. Ndihma e deritashme e Qeverisë gjermane për Kosovë është mbi 117 milionë euro, shumë kjo e dhënë, siç u tha, në kuadër të bashkëpunimit financiar, kurse 64,5 milionë të tjera janë dhënë në kuadër të bashkëpunimit.
LAJM / ECIKS