Aeroporti i Prishtinës me menaxhim kosovar

Prishtinë, 20 nëntor 2006 – Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës (ANP), është ndërmarrja e fundit publike që menaxhohet nga stafi ndërkombëtar. Por, edhe kjo kompani llogaritet si njëra ndër kompanitë publike profitabile, së bashku me Postën dhe Telekomunikacionin e Kosovës (PTK), dhe Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), ku në këto të dyja tashmë janë zgjedhur drejtorët prej stafit lokal.

Vetë fakti se këto kompani janë profitabile, tregon edhe interesimi i ndërkombëtarëve për menaxhimin e tyre edhe më tutje. Konkursi që është hapur për postin e drejtorit të ANP-së, edhe pse quhet kosovarizim i menaxhimit, ka bërë që mjaft ndërkombëtarë të konkurrojnë për këtë post, por të drejtat për këtë post për ndërkombëtarët janë të kufizuara tashmë, pasi që kompetencat e këtyre kompanive publike pritet veç të transferohen te vendorët.

„Deri më 20 nëntor është konkursi i hapur. Deri tash kanë konkurruar 9 persona, prej tyre pesë vendorë dhe katër të huaj. Por, ky konkurs është i hapur vetëm për stafin lokal, por ne kemi konsideratë dhe falënderojmë të gjitha ata të huaj që kanë konkurruar në këtë konkurs“, tha Skënder Bucolli, zëdhënës në ANP.

Zgjedhja e këtij posti do të bëhe tnë mënyrë transparente, thanë zyrtarët e ANP-së, dhe një staf prej shtatë personave edhe do ta zgjedhë drejtorin e ri të ANP-së, ndërsa dy prej këtyre shtatë personave nuk do të kenë të drejtë vote për ta zgjedhur drejtorin e ri, por për cilët persona bëhet fjalë ende nuk dihet.

„Kjo zgjedhje do të bëhet në mënyrë transparente, do të jenë shtatë anëtarë intervistues, të cilët do t’i intervistojnë një nga një dhe më në fund edhe do ta zgjedhin drejtorin e ri. Stafi i anëtarëve të panelit intervistues përbëhet prej tre anëtarëve të bordit, një nga Shtylla IV, një nga UNMIK-u, një nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, dhe një nga Islanda. Por, dy prej shtatë anëtarëve nuk kanë të drejtë vote për ta zgjedhur drejtorin e ri“, shtoi ai.

Që të jetë konkursi me sa më shumë konkurrencë, menaxhmenti i ANP-së ka ftuar të gjithë stafin e lartë të kësaj kompanie që të konkurrojë për këtë post. Ndërsa, janari mund të jetë muaji i fundit kur do të bëhet edhe zgjedhja e drejtorit të ri. „Drejtori menaxhues, në
bashkëpunim me Bordin e drejtorëve, kanë inkurajuar të gjithë stafin e lartë të Aeroportit që të konkurrojë për këtë post, por deri tash asnjë nga ta nuk ka konkurruar. Ndërsa finalizimi i zgjedhjes së drejtorit të ri do të bëhet kah fundi i dhjetorit, apo eventualisht kah mesi i janarit“, tha zëdhënësi Bucolli.

Deri tani thuhet të kenë konkurruar ish-drejtori i hotelit Grand Prishtina, Zekë Çeku, dhe zëvendësdrejtori aktual i ANP-së, Afrim Aziri. Por, ky i fundit tha se nuk mund të flasin asgjë rreth procesit të përzgjedhjes.

EXPRESS / ECIKS