Gjendja ekonomike në Ballkan është katastrofale

Vjenë, 25 qershor 2003 – Sipas një studimi të Institutit për Krahasime Ekonomike Ndërkombëtare – WIIW në Vjenë, del se tregu i punës, produktiviteti dhe eksportet e rajonit të Evropës Juglindore janë në një gjendje katastrofale. Po të krahasohen shtetet e rajonit (Shqipëria, Kroacia, Serbia – Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina, Maqedonia, Bullgaria dhe Rumania) me shtetet që do të anëtarësohen në Bashkimin Evropian vitin e ardhshëm, dallimet janë të trishtueshme. Si shembull mirret një krahasim në mes të produktivitetit në punë në Poloni, që prej vitit 1990 është dyfishuar, ndërsa në vendet e Rajonit të Ballkanit ka mbetur në atë nivel që ishte para trembëdhjetë vitesh.

Në këtë studim konkludohet që Rajoni i Ballkanit ende nuk ka marrë veten pas periudhës fillestare të transformimit. Numri i të papunëve në shtetet si Bosnja e Maqedonia është rreth 40%. Niveli i të ardhurave është dukshëm nën nivelin e vendeve të Evropës Qendrore kurse zhvillimi i tregtisë është edhe më tutje katastrofal. Vetëm Kroacia për shkak të turizmit ndodhet në pozitë më të mirë.

Një faktor i rëndësishëm në Ballkan, vazhdon studimi, është rrjedhja e parave nga miqtë dhe të afërmit nga diaspora. Këto mjete në Shqipëri dhe Serbi – Mal të Zi paraqesin më shumë se 10% të prodhimit të brendshëm bruto.

Studimi konkludon që Bashkimi Evropian duhet ta ndihmojë ekonominë e këtyre shteteve më shumë në të ardhmen. Para se të flitet për anëtarësimin e rajonit në BE, vetë BE-ja duhet të fillojë një lloj “procesi të përgatitjes” për këto shtete. Edhe bankat në Ballkan, shumica prej tyre banka nga shtetet e BE-së, nuk bëjnë sa duhet. Ato janë shumë restriktive në dhënien e kredive me arsyetimin se “rreziku është tepër i lartë”. Studimi përfundon me kokludimin se ende nuk është bërë asgjë e rëndësishme e konkrete nga ana e Bashkimit Evropian për të ndihmuar ekonomitë e Ballkanit.

ECIKS