Mundësia për të hyrë në garë për privatizimin e Kompanisë së Distribucionit dhe Furnizimit me Energji Elektrike (KEDS) ende është e hapur, shkruan sot gazeta Koha Ditore. Përveç kompanive që kanë shprehur interes për të privatizuar KEDS-in, në garë mund të hyjnë edhe kompani tjera. Ilir Shala, menaxher i projektit për Privatizimin e Distribuimit dhe Furnizimit të Energjisë Elektrike, ka thënë se faza e shprehjes së interesit ka përfunduar, ndërsa më 25 janar do të bëhet shpallja e ftesës për para-kualifikim.
“Ftesa e para-kualifikimit do të shpallet më 25 janar, kurse në gazetat duke përfshirë edhe ‘The Economist’ dhe ‘Financial Times’ do të bëhet më 27 janar dhe do të jetë e hapur 40 ditë pune. Pastaj do të përzgjidhen kompanitë që i plotësojnë kriteret minimale teknike dhe financiare për të marrë pjesë në tenderin për privatizimin e distribucionit”, ka thënë Shala. “Në fazën e para-kualifikimit, kompani të ndryshme mund të hyjnë në garë për privatizimin e KEDS-it. Tash i kemi 6 kompani që kanë shprehur interes, por gjatë kësaj faze edhe kompani tjera mund të hyjnë në procedurë të para-kualifikimit. Në këtë fazë do të kemi një reklamim shtesë për privatizimin e distribucionit dhe furnizimit në mënyrë që të tërheqim kompani sa më serioze që mund të realizojë me sukses këtë projekt”. Sipas agjendës, Shala ka thënë se në muajin korrik do të dihet kompania e cila do të privatizojë KEDS-in.
Në përshkrimin e KEDS-it që është bërë në shpalljen e shprehjes së interesit thuhet se KEDS do të jetë kompania e vetme e distribucionit në vend duke operuar me një rrjet prej rreth 11,870 km për sistemin e voltazhit të ulët dhe 7,028 km për voltazhin e mesëm. Baza e konsumatorëve arrin në afro 400,000 sosh, ndërsa konsumi vjetor i energjisë në nivel të distribucionit sillet rreth 4,570 GWh, të furnizuara sipas një kornize të rregulluar.
Komiteti i Privatizimit, i themeluar me vendimin e Qeverisë, është përgjegjës për projektin dhe ndërmerr të gjithë hapat e duhur që të siguroj zbatimin e projektit në përputhshmëri me objektivat e Qeverisë. Në përgjithësi, mbikëqyr implementimin kohor dhe transparent të projektit. KP ka kompetencë t’i vendosë politikat dhe do të sigurojë koordinimin ndërministror gjatë të gjitha fazave të projektit. Ky komitet kryesohet nga ministri i Ekonomisë dhe Financave, ndërsa anëtarë janë: ministri i Energjisë dhe i Minierave, ministri i Mjedisit dhe i Planifikimit Hapësinor, ministri i Punës dhe i Mirëqenies Sociale dhe ministri i Tregtisë dhe i Industrisë. Qeveria e Kosovës është në dorëheqje, prandaj ky komitet është jofunksional dhe pritet të jetë funksional pas formimit të qeverisë së re.
Koha Ditore