G7 pezullon borxhet në disa vende të Azisë

Londër, 10 janar 2005 – Grupi i shtatë vendeve më të industrializuara ka rënë dakord që vendet e prekura nga tsunami në Oqeanin Indian, të pezullojnë shlyerjen e borxhit të jashtëm. Ministri britanik i Financave, Gordon Brown, tha se këto vende nuk duheshin lënë përballë alternativës që të paguanin borxhet apo të financonin procesin e rindërtimit të rajoneve të shkatërruara. G7-a do të përpiqet të bindë vende të tjera kreditore që ta pranojnë këtë moratorium. Zyrtarët britanikë thonë se ai duhet të zgjasë të paktën një vit, çka do t’u kursejë vendeve debitore rreth 5 miliardë dollarë. Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkonbëtar iu është kërkuar që të vlerësojnë nevojat më urgjente të vendeve të prekura nga tsunami.

Në një deklaratë pas takimit të tyre, ministrat e Financave të G7-s thonë se e pranojnë faktin se disa vende mund të mos jenë në gjendje të bëjnë pagesat e borxheve që kanë. Prandaj ata mbështesin idenë e një moratoriumi për shlyerjen e këtyre borxheve dhe do të kërkojnë që të arrijnë një marrëveshje të plotë në një takim që do të zhvillojnë në Paris javën e ardhshme. Deri tani nuk ka pasur ndonjë marrëveshje për të falur një pjesë të borxheve, ndonëse zoti Brown ka thënë se edhe kjo është një alternativë. Moratoriumi që po diskutohet është vetëm për borxhet që qeveritë e vendeve të prekura nga fatkeqësia iu detyrohen vendeve më të pasura. Ai nuk përfshin borxhet ndaj kreditorëve privatë apo ndaj institucioneve financiare ndërkombëtare si Banka Botërore apo Fondi Monetar Ndërkombëtar.

ECIKS / Biznesi