Franca ndihmon Kosovën që të bëhet pjesë e aviacionit evropian

Nëpërmes Komisionit Evropian, Qeveria e Francës ka vendosur që të ndihmojë Kosovën që të plotësojë të gjitha kriteret e Marrëveshjes për hapësirën e përbashkët evropiane të aviacionit (ECAA).

Për këtë arsye në Prishtinë është nënshkruar një marrëveshje për binjakëzimin e Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Aviacionit Civil të Francës.

Marrëveshja për hapësirën e përbashkët evropiane të aviacionit (ECAA) kërkon që hapësira ajrore e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor të integrohet dhe të gjitha vendet ta zbatojnë gradualisht legjislacionin e Aviacionit të Komunitetit Evropian, në mënyrë që më pas të integrohen plotësisht në tregun e aviacionit të brendshëm të komunitetit evropian.

Projekti për binjakëzim për të përkrahur pjesëmarrjen e Kosovës në Zonën e përbashkët evropiane të aviacionit, do të kushtojë 1 milionë euro dhe do të zgjasë dy vite. Ky projekt do të përkrahë Autoritetin e Aviacionit Civil në Kosovë për t’i përmbushur standardet evropiane në sigurinë e aviacionit.

Ministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Fatmir Limaj tha se Republika e Kosovës ka marrë mbi vete të gjitha detyrimet ndërkombëtare, duke përfshirë edhe ato të nënshkruara nga UNMIK-u, siç është edhe Marrëveshja mbi hapësirën e përbashkët evropiane të aviacionit (ECAA).

ECIKS