Formohet Komisioni për vlerësimin e ofertave të telefonisë

Prishtinë, 24 janar 2007 – Autoriteti Rregullator i Telekomunikacionit njoftoi se ka marrë vendim për formimin e Komisionit për vlerësimin e ofertave, si pjesë e procesit tenderues për përzgjedhjen e operatorit të dytë të telefonisë mobile në Kosovë.

Sipas ART-së, komisioni në fjalë përbëhet nga Lulzim Kurtaj, që është kryesues i emëruar nga Bordi i ART-së, Petrit Derguti, anëtar (i emëruar nga Bordi i ART-së), Arben Qirezi, anëtar (i emëruar nga kryeministri), David Hitkok, anëtar (i emëruar nga PSSP-UNMIK-u) dhe Poul Rich, anëtar (i emëruar nga PSSP-UNMIKu). Ky komision pritet ta përfundojë punën gjatë ditëve të ardhshme, kur njëri nga pesë konkurrentët do të shpallet edhe fitues i licencës për operatorin e dytë të telefonisë mobile. Në këtë tender, ofertat e të cilit janë pranuar më 17 janar, kanë konkurruar Telekom Slovenija me Ipko Net, operatori Mobilkom nga Austria, konzorciumi Team Kosova e Kosmocell dhe IWH-International nga Gjermania. Për licencimin e operatorit të dytë të telefonisë mobile është zgjedhur metoda e kombinuar, ankand (çmimi i ofruar) dhe “Beauty Contest”, që ka të bëjë më kriteret që duhet t’i plotësojnë kompanitë konkurruese. Baza e çmimit të licencës, sipas rregullave të tenderit, do të kushtojë 20 milionë euro, me mundësi rritjeje varësisht se sa janë në gjendje të ofrojnë kompanitë e interesuara.

ECIKS / Express