Edhe 17 milionë euro nga privatizimi

Prishtinë, 24 janar 2006 – Jemi të kënaqur me privatizimin. Kështu thonë zyrtarët e Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit (AKM). Raundi i 20 i privatizimit është mbyllur me shitjen e 25 ndërmarrjeve shoqërore me spin-off të thjeshtë, dy ndërmarrje me spinoff special dhe 11 njësi të likuiduara. Nga kjo valë AKM-ja në xhirollogarinë e vet ka futur edhe 17.236.446 euro. Ndërsa, zëvendësdrejtori i kësaj agjencie, Ahmet Shala është shprehur i kënaqur, i cili e konsideron si raund të suksesshëm me faktin se edhe numri i ofertuesve ka qenë i madh.

“Edhe ky raund është në vazhdën e aktiviteteve të AKM-së për të mbyllur procesin dhe misionin e vet që ka për transferimin e pronës shoqërore në sektorin privat. Mendoj se ishte një valë mjaft e suksesshme. Ishin 179 ofertues dhe konkurrenca mendoj se ishte vërtet në nivel. Shpresoj që ofertuesit t’i kryejnë obligimet konform rregullave ligjore”, tha Shala. Por, në këtë raund kanë ardhur edhe njerëz, të cilët kanë probleme me pronat e tyre që u janë uzurpuar para luftës nga sistemi i atëhershëm i Jugosllavisë. “E kemi të kontestuar tokën e gjyshit, ku është uzurpuar nga serbët në atë kohë dhe AKM-ja tash e ka hedhë në tender për likuidim. Ne kemi mundur ta uzurpojmë, por mendoj se nuk kemi pasur nevojë ta bëjmë një gjë të tillë, pasi që kjo tokë është e jona. E kemi bërë padinë në gjykatë për këtë problem. Ajo padi ekziston akoma në gjyq. Në momentin që kemi marrë vesh që kjo tokë është hedhë në tender, e kemi njoftuar AKM-në që ta ndalë tenderimin”, tha Ekrem Ramadani nga Ferizaj.

Ai tha se është detyruar të vijë në Prishtinë që t’u apelojë ofertuesve dhe t’ia bëjë me dije AKM-së se toka e tij nuk mund të shitet. “AKM-ja deri tash nuk ka bërë asgjë, por sot jam detyruar që të vijë këtu dhe t’u them njerëzve që mos të investojnë në tokën e huaj. Por, edhe nëse shitet, unë prapë do t’i apelojë qytetarët që të heqin dorë nga ai vend, sepse përgjegjësitë do t’i bartin AKMja dhe vetë blerësit”, tha Ramadani. Por, zëvendësdrejtori Shala u shpreh se nuk ka ligj për kthim të tokave të uzurpuara, por kompensim. “Ligj për kthim nuk ka, andaj pa një ndërrim të këtij ligji, AKM-ja do të vazhdojë të privatizojë të gjitha pronat, të cilat në bazë të verifikimeve tona janë ndërmarrje shoqërore”, tha Shala. Ndërmarrja, e cila është shitur me çmimin më të lartë është gurthyesi Morava e Binqës, me çmim prej 4.117.000 euro. Ndërsa, me çmimin më të ulët është shitur toka në Maznik të Deçanit me çmim prej 20.050 euro. Nga 179 ofertuesit, për katër ndërmarrje nuk ka pasur oferta fare. Këto ndërmarrje kanë qenë kryesisht nga regjioni i Pejës. Ndërkaq, nga likuidimi njësive, AKM-ja ka mbledhur 2.118.651 euro.

ECIKS / Express