FMN: Rritet deficiti buxhetor i Kosovës

Sipas përfaqësuesit të Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë, Mark Auboin, të ardhurat për buxhetin e Kosovës këtë vit do të jenë 20 milionë euro më pak se parashikimet, ndërkohë që vetëm në tremujorin e parë të vitit qeveria kosovare ka shpenzuar 10 milion euro më shumë se sa ishte parashikuar me miratimin e buxhetit

Prishtinë, 13 maj 2005 – Parashikimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar për deficitin buxhetor gjatë vitit fiskal 2005 janë rritur. Sipas përfaqësuesit të këtij institucioni, nga 100 milion që ishte parashikimi fillestar për këtë vit, deficiti do të arrijë në 130 milion euro. Qeveria e Kosovës, ka një tepricë prej 170 milionë eurove të mbetura nga vitet e mëparshme, ndërkohë kjo shumë pritet të ulet në 40 milion euro, pas mbulimit të deficitit prej 130 milion eurove.

“Diagnoza për buxhetin e Kosovës nuk ka ndryshuar që nga muaji dhjetor. Kosova po përballet me probleme buxhetore dhe parashikimet tona të menjëhershme kanë dëshmuar se kishim të drejtë. Në fund të vitit 2004 Kosova kishte një deficit buxhetor prej 150 milion euro”, është prononcuar përfaqësuesi i Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë, Mark Auboin, duke shtuar se për vitin 2005 ky deficit do të afrohet më atë të një viti më parë duke arritur shumën e 130 milion eurove.

Auboin u shpreh se situata ekonomike në Kosovë nuk është e favorshme. “Buxheti varet nga të hyrat nga importet ndërkohë që parashikohet që importet të jenë më të ulëta këtë vit krahasuar me vitet e mëparshme”- tha Auboin.

Faktori i dytë i rritjes së parashikimit të deficitit për vitin 2005 po sipas Auboin është harxhimi nga qeveria e Kosovës i mbi 10 milion eurove më tepër se parashikimet vetëm për tremujorin e pare të këtij viti.

“Gjatë tremujorit të parë të vitit janë shpenzuar 10 milion euro më shumë. Njerëzit kanë vazhduar të punësohen në administratën publike dhe numri i tyre është rritur tej parashikimeve, megjithëse qeveria kishte premtuar ngrirjen e punësimit”- është shprehur përfaqësuesi i FMN-së në Kosovë. Sipas Auboin, gjithçka mund të ndryshojë pas zgjidhjes së statusit të Kosovës.

Ndërkohë që po sipas Auboin, me shumë mundësi shuma prej 12 milionë euro që ishte destinuar si ndihmë për Aeroportin e Prishtinës mund të mos jepet. “Po ashtu, një tjetër faktor negativ në harxhimin e parave të buxhetit të shtetit është edhe zbritja e kushteve që kërkoheshin më parë për përfitimin e pensionit të invalidit” ka përfunduar Auboin.

ECIKS / Biznesi