Oferta për privatizimin e Ferronikelit: 64 milion USD

Ndërmarrja shoqërore “Ferronikeli” është shitur për rreth 49.4 milionë euro, por vendimin përfundimtar për këtë çështje pritet ta marrë Bordi i Drejtorëve të AKM-së. Kështu thanë sot drejtuesit e Shtyllës së Katërt të UNMIK-ut dhe të AKM-së, në ditën e dytë të ofertimit për ndërmarrjen “Ferronikeli”.

Prishtinë, 12 maj 2005 – Firma shqiptaro-amerikane “Adi Nikel”, është shpallur fituese e përkohshme e tenderit, mirëpo pasi që ishin vetëm dy oferta dhe në bazë të rregullores së AKM-së duhet të jenë tri dhe më shumë ofertues, atëherë për këtë ndërmarrje do të vendosë Bordi i drejtorëve të AKM-së në takimin e radhës. “Adi Nikel” e cila ofroi rreth 49.4 milion euro, 20 milion investime të garantuara dhe punësimin e rreth 1000 punëtorëve brenda afatit një-vjeçar, pas nënshkrimit të kontratës. Kjo firmë në ditën e parë të ofertimit pati ofruar rreth 27 milion euro. Ndërsa ofertuesi i dytë, kompania “Alferon” nga Britania e Madhe nga 22 sa pati ofruar, sot e rriti ofertën në 33 milion euro.

Ndërmarrja “Ferronikeli” ka rëndësi kyçe për zhvillimin ekonomik të Kosovës, u shpreh shefi i Shtyllës së Katërt të UNMIK-ut, Joachim Ruecker, duke u bërë thirrje investitorëve që të investojnë në Kosovë. “Kush dëshiron të marrë pjesë në të ardhmen ekonomike të Kosovës, duhet të vijë dhe të investojë tani e jo më vonë kur të gjithë do të jenë këtu. Ne të gjithë besojmë në qëndrueshmërinë ekonomike të së ardhmes së Kosovës”, ka thënë Ruecker.

Nënkryetari i Bordit të AKM-së Bujar Dugolli, u shpreh se bordi do të marrë informacione për të dy ofertuesit dhe pastaj do të marrë vendim për shpalljen e fituesit apo ritenderimin. Kryetari i BSPK-së Bahri Shabani është shprehur i pakënaqur me çmimin e ofruar, ndërsa drejtori i Ferronikelit, Murat Meha, konsideron se çmimi i ofruar sot është më i arsyeshëm se i kaluari. Pasi vendimin përfundimtar duhet ta marrë bordi i AKM-së, ofertuesit në bazë rregullave të spin off-it të veçantë janë të obliguar t’ia paraqesin Bordit edhe planin 5 vjeçar të revitalizimit.

ECIKS / RTKLive