FMN jep vërejtje për shpenzimet buxhetore

Prishtinë, 11 prill 2007 – Zyra e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në Prishtinë ua ka tërhequr vërejtjen institucioneve qeverisëse në Kosovë se nëse do të vazhdohet me politika të ngjashme si deri tani të shpenzimeve të mjeteve buxhetore, nuk do të ketë rritje ekonomike të vendit. Shefi i zyrës së FMN në Kosovë, Edgardo Ruggiero, ka deklaruar se shfrytëzimi i një pjese të konsiderueshme të mjeteve buxhetore për shpenzime për mallra dhe shërbime, duke përfshirë edhe transferet sociale, nuk sjell kurrfarë zhvillimi ekonomik. “Praktikisht ata do të vazhdojnë implementimin e politikave buxhetore, por e rëndësishme është se çka do të ndodhë me ekonominë e Kosovës. Nëse ngrihen pagat dhe nuk zvogëlohet numri i të punësuarve, nëse nuk përmirësohen shpenzimet në transfere sociale, pjesa më e madhe e mjeteve do të kalojë në ato që ne e quajmë shpenzime të ripërtëritjes, pra që nuk ndikojnë në zhvillimin ekonomik dhe kjo nuk është mënyrë e mirë për ta shpenzuar buxhetin dhe parat publike, ku edhe për momentin një pjesë e madhe shkon në këto dy sektorë, pra në shërbime dhe mallra”, tha Ruggiero. Ai ka deklaruar se rekomandimet e FMN-së janë rezultat i procesit të negocimit me qeverinë. “Atë çka dëgjoni është vetëm maja e ajsbergut. Por, ka me shumë sesa ato që ne diskutojmë. Ajo çka ne brengosemi është se çka do të ndodhë me ekonominë. Qëllimi i rekomandimeve tona është që të përmirësohet aftësia konkurruese e ekonomisë së Kosovës”, tha Ruggiero.

ECIKS / Gazeta Express