Filluan punimet në rrugën e re që lidh Kosovën me Maqedoninë

Gjilan, 6 korrik 2006 – Në fshatin malor të Karadakut, Shurdhan të Zhegrës, dje solemnisht u bë përurimi i fillimit të punimeve të rrugës rajonale Shurdhan Stançiq.

Ministri i Transportit dhe Postë Telekomunikacionit të Kosovës, Qemajl Ahmeti, bashkë me Presidentin e Kosovës Fatmir Sejdiu, zëvendëskryeministrin Lutfi Haziri, ministrin e brendshëm Fatmir Rexhepi, kryetarin e komunës së Gjilanit Xhemaili Hyseni, me delegatë e autoritete tjera komunale e vendore dhe me popullatën e kësaj ane, përuruan dhe prenë shiritin e fillimit të punimeve të rrugës rajonale Shurdhan Stançiq, faza e parë, në një gjatësie prej 7 km.

Kjo rrugë është e një rëndësie të veçantë, sepse lidh Kosovën me Maqedoninë, e nëpërmjet saj me korridoret ndërkombëtare. Me këtë rast ministri Ahmeti theksoi se kjo pjesë e rrugës që u inaugurua është pjesa e dytë ose pjesa përfundimtare e kësaj rrugë në këtë rajon Shurdhan Stançiq, me gjatësi prej 6.9 km dhe do të kryhet brenda 45 ditëssh. Ndërsa pjesa tjetër (është fjala për asfaltimin e kësaj pjese të rrugës) do të mbetet kohë sa për t’u përfunduar deri në fund të këtij viti, tha Ahmeti.

Kjo rrugë do të lidhë Kosovën me Maqedoninë, si rrugë e dytë por në veçanti që lidh Gjilanin me Kumanovën dhe Shkupin. “Do të ndërtojmë rrugë, do të ndërtojmë objekte dhe infrastrukturë, bashkë me të një jetë më të mirë e më të bukur për gjithë qytetarët e Kosovës, janë këto të premtime të shumta që më parë tonat dhe se kjo është edhe një amanet i atyre që kanë dhënë jetën për këtë Kosovë ashti siç ishte edhe ish presidenti i Rugova”, tha në Presidenti Fatmir Sejdiu në përurimin e kësaj rruge. Kjo rrugë e kësaj ane, tha ai, e ka edhe kuptimin e vet të rëndësishëm të simbolikës së fuqishme të lidhjes së një bote të jetës shqiptare të them edhe të kësaj pjese si në Kosovë gjithashtu edhe në Maqedoni, si dhe të lidhjes së fuqishme në mes Kosovës dhe Maqedonisë.

Këtë projekt e realizon në tërësi Ministria e Transportit dhe Postë Telekomunikacionit, e cila do të investojë 613.941,67 euro, kurse punimet i zhvillon kompania “Burimi” nga Kaçaniku.

ECIKS / QIK