Fillon zgjerimi i telefonisë fikse në Kosovë

Postë-Telekomi i Kosovës ka zgjeruar rrjetin e telefonisë fikse me 11 mijë numra të rinj, në kuadër të projektit për zgjerimin e telefonisë fikse, i cili parashikon që brenda këtij viti të shpërndahen rreth 65 mijë numra të rinj. Momentalisht në Kosovë janë të instaluar 110 mijë linja telefonike fikse

Prishtinë, 31 mars 2005 – Postë-Telekomi i Kosovës (PTK) ka shpërndarë sot 11 mijë linja të telefonisë fikse, në 12 lokacione të ndryshme në të gjithë vendin, në kuadër të shtimit të 60 mijë linjave të reja që është parashikuar të bëhet këtë vit. Momentalisht në Kosovë ekzistojnë110 linja të telefonisë fikse dhe brenda vitit, në bazë të lejes nga Autoriteti Rregullator i Telekomunikacioneve, parashikohet që të bëhen 175 mijë linja telefonike.
“Deri më tani janë duke u realizuar me sukses kushtet e dala nga licenca dhe deri në fund të vitit do të arrijnë të zgjerojnë linjat deri në shkallën e duhur”, u shpreh Ilaz Bejtullahu, zyrtar i PTK-së.

Për sa i përket zbritjes së tarifave në çmime, Bejtullahu pohoi se vazhdon punën firma konsulente ndërkombëtare që analizon këtë mundësi. “Deri në muajin maj pritet të ketë edhe ndryshime të çmimit për shërbimet telefonike”, pohoi ai. Taksa kyçëse e një linje për konsumatorët është 150 euro plus 15 për qind TVSH.

Shpenzimet e instalimit për konsumatorë deri në 100 metra largësi, nga dalja deri tek objekti i tyre, do të përmbushen nga PTK-ja në kuadër të taksës kyçe, kurse mbi 100 metra largësi ata do të paguajnë 0.65 cent për metër. Kosova pas luftës e ka digjitalizuar telefonin fikse në masën më të madhe, pasi rrjeti i vjetër ishte shumë i dëmtuar pas bombardimeve të NATO-s. Postat në Kosovë ishin objektet më të goditura gjatë bombardimeve 78-ditëshe.

ECIKS / Biznesi