Qeveria e Kosovës deri tani ka dhënë 30 milionë euro për vënien në funksionim të minierave të Trepçës, ndërsa për këtë vit vetëm 8,2 milionë euro, shumë e cila administrohet nga ndërkombëtarët e AKM-ja, ndërkohë që, sipas kompanive ndërkombëtare, Trepça ka 250 milionë euro borxh
Prishtinë, 31 mars 2005 – Kryeministri i Kosovës, Bajram Kosumi, pas mbledhjes së parë të kabinetit të tij ka premtuar se minierat e Trepçës do të vihen në funksionim këtë vit, duke theksuar njëkohësisht se ato duhet të administrohen nga qeveria e Kosovës. Sipas tij, meqë qeveria e Kosovës financon rimëkëmbjen e këtyre minierave ajo dhe duhet t’i administrojë ato.
Deri më tani nga paratë publike janë investuar rreth 30 milionë euro, ndërkohë që për këtë vit kjo shumë është reduktuar në vetëm 8,2 milionë. “Jemi të gatshëm të gjejmë rrugë të vlefshme për zgjidhje, por orientimi ynë kryesor është që Trepça të funksionojë”, komentoi kryeministri i Kosovës, duke përmendur edhe mendimet e kohëve të fundit për falimentimin e Trepçës për shkak të borxheve. Kryeministri Kosumi pohoi se ekziston një mendim për falimentimin e minierave, për të larë shumën e 250 milionë eurove borxhe.
Pretendente për borxh janë kompanitë greke që pohojnë se këto para i kanë investuar gjatë kohës së regjimit të Millosheviçit, ndërkohë që nuk kanë marrë asnjë shumë si kompensim. “Nuk e dimë nëse këto para kanë shkuar në formë investimesh për minierat e Trepçës apo me ato është financuar lufta kundër shqiptarëve”, ka thënë Kosumi. Trepça pas luftës menaxhohet nga ndërkombëtarët përmes Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit dhe menaxherët e saj kanë premtuar se pas këtyre investimeve më në fund këtë vit Trepça do të nisë nga puna.
“Aty ku qeveria e Kosovës financon, aty do të ndjekë politikën e vet dhe do të ndërpritet rruga që të financohet nga buxheti, ndërsa politikat do t’i bëjë dikush tjetër”, ka theksuar kryeministri kosovar.
Gjithashtu kreu i qeverisë pohoi se gjatë debatit për Trepçën në kabinetin e tij qeveritar, nuk është marrë ndonjë vendim i formës së prerë. Në mbledhjet e ardhshme të qeverisë do të miratohet një dokument ku do të paraqiten orientimet politike në lidhje me Trepçën dhe, sipas tij, në atë dokument do të punojnë së bashku me PSSP-në dhe AKM-në, ka përfunduar kryeministri.
ECIKS / Biznesi