Fillojnë punimet në zgjerimin e magjistrales Fushë Kosovë – Aeroporti i Prishtinës

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi dhe Ministri i Transportit Fatmir Limaj, kanë përuruar sot fillimin e punimeve për vazhdimin e zgjerimit të magjistrales Fushë Kosovë -Aeroporti i Prishtinës. Ky projekt I cili pritet të përfundojë deri në fund të vitit do të kushtojë rreth 33 milionë euro dhe është vlerësuar sipas standardeve evropiane. Për këtë vit është paraparë zgjerimi i rrugës deri në Orllatë, ndërsa deri në vitin 2010 pritet të përfundojë deri në Pejë.

Kryeministri Thaçi, i cili së bashku me ministrin Limaj shikuan për së afërmi punimet e filluara për vazhdimin e zgjerimit të rrugës, nga Fushë Kosova deri në Aeroportin e Prishtinës, duke premtuar se në Kosovë do të ketë zhvillim dhe modernizim, tha se ky është fillimi i projekeve madhore.

Ndërsa ministri i Transportit Fatmir Limaj e vlerësoi këtë rrugë si urë lidhëse ndërmjet Kosovës dhe Botës.

Rruga do të ketë 3 mbikalime dhe urat. Trashësia e Asfaltit sipas zyrtarëve të Ministrisë së Transportit do të jetë 25 cm. Auto-udha do të ketë katër shirita plus dy rrugë anësore ndihmëse dhe në çdo urë do të ketë mbikalim dhe nënkalim.

Projekti është i përfunduar dhe pritet të realizohet gjer në Orllat dhe pritet të përfundojë brenda këtij viti.
Ndërsa vazhdimi i magjistrales deri në Pejë do të fillojë vitin e ardhshëm, ndërsa, sipas zyrtarëve të Ministrisë së Transportit zgjerimi i rrugës deri në Pejë pritet të përfundojë deri në vitin 2010.

RTKlive