Prishtinë, 30 janar 2006 – Kandidati për President të Kosovës, është Fatmir Sejdiu, zyrtar i lartë i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Vendimin e mori Kryesia e kësaj partie të hënën në një mbledhje të mbajtur me dyer të mbyllura.
Këtë njoftim e bëri të ditur agjencia zyrtare e LDK-së për informim, Qendra për Informim e Kosovës
Thuhet se Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, këtë vendim e ka marrë me një konsensus të plotë të të gjithë anëtarëve të saj.
Po ashtu thuhet se Lidhja Demokratike e Kosovës, për kandidatin që do të zërë postin e Presidentit i ka konsultuar edhe subjektet e tjera politike, si dhe ka pasur konsultime edhe me faktorë të tjerë politikë dhe diplomatik ndërkombëtarë.
Zëdhënësi i LDK-së, Lulëzim Zeneli, tha pas mbledhjes së mbyllur të Kryesisë së kësaj partie se emri i kandidatit për president të Kosovës do të bëhet i njohur zyrtarisht vetëm pas përfundimit të periudhës së zisë kombëtare prej pesëmbëdhjetë ditësh, më gjashtë shkurt.
Pas kësaj, nëse çështja e kandidaturës së zotit Sejdiu do të jetë çështje e kryer, ajo do t’i kalojë për miratim Kuvendit të Kosovës.
Sipas Kornizës Kushtetuese në fuqi, zgjedhja e presidentit bëhet me të paktën 2/3 e votave të përgjithshme të Kuvendit. Do të duhen 81 vota për zgjedhjen e president të ri të Kosovës.
Nëse kandidatura nuk kalon dy herë me këtë numër votash, ai në votimin e tretë mund të zgjidhet president edhe me 61 vota.
Emri i zotit Sejdiu si kandidat ishte përmendur tash e dy muaj, mirëpo deri më sot, askush nuk ka qenë në gjendje të thotë nëse spekulimet për kandidaturën e tij për president kane qenë të sakta.
Nuk ka pasur njoftime nëse ka pasur ndonjë propozim tjetër për postin e presidentit të Kosovës.
Analistët thonë se Fatmir Sejdiu, është parë si personi më i përshtatshëm për President të Kosovës për shkak marrëdhënieve të tij të mira me grupet brenda LDK-së, por edhe me përfaqësues të partive të tjera duke përfshirë edhe ato të opozitës.
Kush është Fatmir Sejdiu
Fatmir Sejdiu, është njëri prej anëtarëve të njohur të Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës që nga ditët e para të saj.
Ai për një kohë të gjatë ka qenë Sekretar i Përgjithshëm i LDK-së dhe njëri prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë dhe me besnikë të Presidentit të ndjerë Rugova.
Që nga anëtarësimi i tij në LDK, ai ka mbetur në strukturat e kësaj partie dhe nuk është shquar për qëndrime kontradiktore brenda partisë.
Zoti Sejdiu nuk bën pjesë në të ashtuquajturën “linjë e ashpër” të kësaj partie.
Ai ka qenë njëri prej anëtarëve që ka marrë pjesë drejtpërsëdrejti në hartimin e të gjitha dokumentave të partisë, si dhe të një varg dokumentesh të tjera ligjore të Kosovës.
Fatmir Sejdiu, aktualisht është anëtar i udhëheqjes së lartë të partisë, anëtar i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës dhe anëtar i dy komisioneve të tij.
Ai me profesion është jurist dhe është profesor në Fakultetin Juridik dhe në Fakultetin e Shkencave Politike në Prishtinë.
Zoti Sejdiu ka lindur më 23 tetor të vitit 1951 në Pakashticë të Podujevës.
Është i martuar dhe ka tre djem.
ECIKS / BBC