Evropa me “front të bashkuar” kundër krizës financiare

PARIS, 5 TETOR (FRANCE PRESSE) – Liderët e katër fuqive kryesore ekonomike të Evropës janë zotuar se do t’i mbrojnë bankat e tyre të brishta në luftën kundër krizës globale të kredive, derisa ka dështuar misioni më i madh i shpëtimit në historinë financiare të Gjermanisë. Franca, Gjermania, Britania dhe Italia kanë krijuar një front të bashkuar, duke premtuar një qasje më të koordinuar rreth krizës së kredive, ndonëse kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka insistuar se shtetet kryesisht do të veprojnë individualisht.

Kryetari i Francës, Nicolas Sarkozy, që ka qenë nikoqir i Merkelit dhe kryeministrave Gordon Brown i Britanisë së Madhe dhe Silvio Berlusconi i Italisë, nuk e ka kundërshtuar këtë kërkesë të Gjermanisë, mirëpo ka thënë se të katër shtetet janë pajtuar për një “doktrinë” të re.

Sarkozy ka thënë se katër krerët janë pajtuar të ndëshkojnë drejtorët ekzekutivë të bankave që po falimentojnë dhe të kërkojnë takim emergjent të Grupit të Tetëshes, me qëllim të koordinimit të një përgjigjeje të përbashkët rreth krizës financiare. “Jemi pajtuar të angazhohemi si krerë të shteteve dhe të qeverive, për t’i mbështetur institucionet bankare dhe financiare që po përballen me krizën”, ka thënë Sarkozy gjatë një konference të përbashkët shtypi, pas takimit treorësh. “Secila qeveri do të veprojë me metodat e veta, mirëpo do të koordinohemi. Në një mënyrë, kemi përgatitur një doktrinë të re”, ka shtuar ai.

Brown është pajtuar: “Aty ku duhet ndërmarrë ndonjë veprim, ne do të vazhdojmë të bëjmë atë që është e nevojshme, për ta ruajtur stabilitetin e sistemit financiar”. Nuk kishte mospajtim publik midis liderëve, pas një jave gjatë të cilës zyrtarët në Paris dhe Berlin shkëmbenin replika nëpër konferenca. Megjithatë, Merkel ka vënë theksin mbi përgjegjësitë individuale të shteteve.

“Secili shtet duhet të marrë përgjegjësitë mbi vete”, ka thënë ajo. Brown ka thënë pas takimit se liderët ishin pajtuar për miratimin e 32 miliardë eurove nga fondet evropiane, për t’i ndihmuar bizneseve të vogla që të përballen me krizën globale financiare. “Kriza që e ka burimin në SHBA i ka prekur të gjitha bizneset, prandaj jemi pajtuar nga që t’i kërkojmë Bankës Evropiane për investime që t’i ndajë 25 miliardë sterlina, të cilat do t’u jepen si kredi bizneseve të vogla”, ka thënë kryeministri britanik. Me gjithë përpjekjet për ta pasur një front të bashkuar, dallimet janë paraqitur rreth asaj se sa do të lehtësohen rregullat e financave publike, të parapara me Paktin për Stabilitet dhe Zhvillim. Lideri francez ka kërkuar më fleksibilitet në zbatimin e këtyre rregullave, pasi që Franca është duke u munduar ta mbajë deficitin e saj në më pak se tre për qind të prodhimit, ashtu si kërkohet nga pakti. Megjithatë, Gjermania, që po llogarit në heqjen e deficitit në tërësi brenda këtij viti, vazhdimisht ka kundërshtuar thirrjet franceze për më shumë fleksibilitet në rregullat e financimit publik.

Kryeministri i Luksemburgut, Jean-Claude Juncker, kryetar i ministrave të Financës së Eurozonës, ka insistuar se liderët janë pajtuar në Paris që pakti duhet respektuar “në tërësi”, me gjithë krizën financiare. “Nuk do të lejojmë rritjen e deficiteve, ajo do të ishte politikë e keqe”, ka thënë Juncker. Kriza financiare ka prekur edhe Evropën, pasi që, gjatë samitit banka gjermane “Hypo Real Estate” (HRE) bëri të ditur se blerja e planifikuar 48-miliardëdollarëshe kishte dështuar.

Një konsorcium i bankave pritej që ta bënte shpëtimin më të madh në historinë gjermane dhe ky dështim mund të bëjë kërdi kur tregjet financiare të hapen të hënën. Ministri i Brendshëm gjerman, Wolfgang Schaeuble, ka paralajmëruar se kriza financiare mund të ketë edhe pasoja në politikë, duke theksuar se si Adolf Hitleri u ngrit në pushtet pas dështimit të vitit 1929 të “Wall Stret”-it. “Pasojat e atij depresioni ekonomik kishin qenë Adolf Hitleri dhe, në mënyrë indirekte, Lufta e Dytë Botërore dhe Auschwitzt,” i ka thënë ky ministër gazetës “Der Spiegel”.

Koha Ditore