EULEX-i ndihmon Qeverinë për sundimin e ligjit

Misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë për rend dhe ligj (EULEX) është zotuar të martën se do të ndihmojë autoritetet kosovare për të siguruar zbatimin e rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës.

Këto komente u bënë të martën pas takimit të Bordit të përbashkët koordinues për sundimin e ligjit, në të cilin ishte i pranishëm zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës, Hajredin Kuçi dhe shefi i EULEX-it, Yves De Kermabon.

Ekzekutivi kosovar, sipas zëvendës/kryeministrit Kuçi, në këtë vit ia ka vënë tri prioritete vetës: sundimin e rendit dhe ligjit; zhvillimi ekonomik dhe zotimet për perspektivën evropiane.

Ndërsa shefi i EULEX-it, Yves De Kermabon tha se viti i kaluar ka shënuar fillim të mbarë të misionit të EULEX-it dhe të përpjekjeve të përbashkëta për sundimin e ligjit.

Ai ka premtuar se misioni i BE-së do t’i ndihmojë autoritetet kosovare për të krijuar rend dhe ligj në pajtim me standardet evropiane.

Funksionimi i mirëfilltë i rendit dhe ligjit dhe perspektiva evropiane e Kosovës janë elemente krye për inkurajimin e investimeve të huaja.

ECIKS