Erhard Busek këshilltar special i ECIKS

Ish zv. Kancelari i Austrisë, Dr. Erhard Busek, do të shtojë përkrahjen për aktivitetet e Nismës Ekonomike për Kosovën (ECIKS) duke marrë rolin e këshilltarit special të saj. Organizata me seli në Vjenë përkrahë zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe përfaqëson Agjencinë e Kosovës për Promovimin e Investimeve (APIK) në rajonin gjermanofolës. Erhard Busek ka përkrahur vazhdimisht aktivitetet e ECIKS në të kaluarën. Reputacioni dhe njohuritë e tij do të jenë të një rëndësie të jashtëzakonshme për ECIKS në promovimin e investimeve në të ardhmen. ECIKS është i nderuar të përforcojë bashkëpunimin me z. Busek.

Duke shpjeguar vendimin e tij, Busek ka thëne se “zhvillimi ekonomik dhe social i Kosovës ka rëndësi të jashtëzakonshme jo vetëm për Kosovën por, në kontekstin evropian, edhe për tërë rajonin e Evropës juglindore. Ky është edhe një obligim i yni për të gjithë banorët e Kosovës”.

Dr. Erhard Busek ka qenë koordinator special i Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore deri në dorëzimin e mandatit të paktit tek Këshilli Rajonal për Bashkëpunim. Ai është koordinator i Nismës së Evropës Juglindore për Bashkëpunim (SECI), kryetar i Forumit Evropian të Alpbahut, kryetar i Forumit Ekonomik të Vjenës dhe kryesues i Institutit për Rajonin e Danubit dhe Evropën Qendrore (IDM). Nga janari 2009 Erhard Busek do ta këshillojë qeverinë e Çekisë rreth çështjeve të Ballkanit gjatë presidencës së saj të BE-së.

Zyra e APIK-ut në Vjenë që menaxhohet nga ECIKS dhe financohet nga Agjencia Austriake për Zhvillim ka pasur bashkëpunim të shkëlqyeshëm me z. Busek edhe në të kaluarën. Gjatë dy viteve të fundit ky projekt ka këshilluar dhe shërbyer gratis mbi 110 investitorë potencial nga rajoni gjermanofolës si dhe ka mundësuar ose përkrahur 13 investime në Kosovë.

KOMUNIKATE PER SHTYP E ECIKS