Eksporti për në Serbi pa probleme

Kompani të ndryshme kosovare pa problem po zhvillojnë eksportin dhe importin me Serbinë dhe me vende të Bashkimit Evropian. Kjo u mundësua që nga arritja e marrëveshjes për njohjen e vulave doganore të Kosovës nga ana e Serbisë.

Që nga 16 shtatori, kur Qeveria e Kosovës hoqi masat reciproke ndaj produkteve serbe, kompania “Elkos” ka importuar produkte nga Serbia, dhe njëherësh ka shfrytëzuar territorin e këtij shteti për transport të mallrave nga vendet e Bashkimit Evropian. Një udhëheqës i kësaj ndërmarrjeje, thotë se marrëveshja për njohjen e vulave doganore është duke u zbatuar pa problem.

Që nga viti 2008 Serbia kishte bllokuar produktet kosovare, për shkak të ndërrimit të vulave nga të UNMIK-ut në ato të Republikës së Kosovës. Mallrat me këtë vulë nuk janë lejuar të kalojnë as transit në territorin e këtij shteti.
Qeveria e Kosovës, më 20 korrik, vendosi masa të plota reciproke ndaj produkteve serbe, masa këto që u ndërprenë më 16 shtator.

/Telegrafi/