Eksport vetëm me dokumente të Kosovës

Nga 22 shtatori të gjithë kamionët me mallra nga Kosova, në territorin e Serbisë kanë hyrë me dokumentacione të Republikës së Kosovës.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Mimoza Kusari- Lila thotë se pas 22 shtatorit, kur institucionet e Kosovës, llogarisin edhe zyrtarisht zbatimin e marrëveshjes së 2 shtatorit, maunet kosovare në Serbi kanë hyrë vetëm me dokumentacion të Republikës së Kosovës.

Sipas zëdhënësit në Doganat e Kosovës, të gjitha maunet me mallra nga Kosovë kalojnë në Serbi vetëm me dokumente të lëshuara nga Doganat e Kosovës. Sipas tij, që nga heqja e masave të reciprocitetit, me 16 shtator, mbi 1600 kamionë serbë, kanë hyrë në territorin e Kosovës, për derisa në Serbi kanë kaluar rreth 30 maune të bizneseve kosovare.

Një ndër kompanitë kosovare që ka eksportuar mall në Serbi, është “Fludi” nga Gjilani.
Berat Mustafa, menaxher në këtë ndërmarrje, tregon se menjëherë pas shfuqizimit të reciprocitetit nga Qeveria e Kosovës, ka bërë përpjekje që të eksportojë në Serbi, por kjo iu ishte pamundësuar për shkak se Doganat e Serbisë kanë kërkuar dokumente të strukturave paralele.

Ndërsa, pas tri ditësh, thotë Mustafa, kompania ku ai punon, mallin në Serbi e ka dërguar vetëm me dokumente të Republikës se Kosovës.

/Telegrafi/