Drejtues të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe Nismës Ekonomike për Kosoven (ECIKS) kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi, për të bashkërenduar forcat në promovimin e investimeve të jashtme në Kosovë.
“Ndonëse Kosova ka resurse të mjaftueshme, ato nuk mjaftojnë për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Investimet e huaja vlerësohen si bazë për zhvillimin e vendit në të ardhmen, për rritjen e shkallës së punësimit dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve”, tha kryetari i Nismës
Ekonomike për Kosovën (ECIKS) nga Vjena e Austrisë, Kujtim Dobruna.
Dobruna tha se ECIKS në kuadër të projekteve dhe përfaqësimit të Agjencisë së Kosovës për Promovimin e Investimeve ka kontaktuar me rreth 600 investitorë potencial, mbi 100 prej tyre jane informuar në detaje për mundësitë e investimeve ndërsa 13 tashmë kanë investuar në Kosovë.
Kryetarja e Odës Ekonomike Amerikane, Mimoza Kusari- Lila, tha se pavarësisht nga zhvillimet politike në vend, gjatë vitit 2009 nevojitet një përqendrim më i madh drejt investimeve të huaja.
“Investitorët mund të hezitojnë të vijnë në Kosovë për shkak të situatës politike, e nga ana tjetër mund të ndikojë edhe kriza financiare globale, por organizatat duhet të zhvillojnë aktivitete të shumta dhe të ofrojnë shërbime për investitorët potencialë”, tha Mimoza Lila, drejtoreshë e Odës Amerikane të Kosovës.
ECIKS është organizatë e themeluar në Vjenë në vitin 2003. Që nga nëntori i vitit 2006 ECIKS përfaqëson Agjencinë e Kosovës për Promovimin e Investimeve në rajonin gjermanofolës. Ky projekt financohet nga Qeveria e Austrisë.
Në bazë të memorandumit të mirëkuptimit të nënshkruar sot, ECIKS dhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë do të shkëmbejne informata dhe përvoja si dhe do të bashkërendisin veprimet në drejtim të promovimit të investimeve të huaja dhe zhvillimit ekonomik të Kosovës.
ECIKS / Telegrafi