ECIKS dënon dhunën në Kosovë

Komunikatë për shtyp

Nisma Ekonomike për Kosovën
Vjenë, 22 mars 2004

ECIKS dënon dhunën në Kosovë

Nisma Ekonomike për Kosovën (ECIKS) dënon ashpër dhunën e ditëve të fundit në Kosovë. Dhuna ndëretnike dhe sulmet ndaj monumenteve fetare si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi janë të papranueshme dhe të dënueshme.

ECIKS u shpreh ngushëllimet e veta më të thella të gjitha familjeve të viktimave.

Dhuna e manifestuar dhe sulmet ndaj KFOR-it, SHPK-së dhe policisë së UNMIK-ut i bëjnë dëm interesave të Kosovës dhe janë në kundërshtim të plotë me aspiratat e popullit të Kosovës.

Ngjarjet e ditëve të kaluara dëmtojnë rëndë edhe ekonominë kosovare dhe marrdhëniet ekonomike të Kosovës me botën e jashtme.

Nisma Ekonomike për Kosovën konsideron se gjendja e rëndë ekonomike dhe sociale, si dhe zhagitja e zgjidhjes përfundimtare të statusit të Kosovës janë disa prej arsyeve kryesore të shpërthimit të dhunës në Kosovë. Pa zgjidhje te statusit përfundimtar nuk mund të ketë zhvillim të mirëfilltë ekonomik e social, por as stabilitet politik.

ECIKS çmon lart angazhimet e institucioneve kosovare, posaçërisht të Qeverisë së Kosovës në ndaljen e dhunës dhe stabilizimin e situatës. Krijimi i fondit nga ana e Qeverisë së Kosovës dhe ndarja e shpejtë e mjeteve për riparimin dhe rindërtimin e menjëhershëm të objekteve të djegura gjatë ditëve të kaluara dëshmon përcaktimin e njëmendtë të saj për tejkalimin e krizës.

ECIKS poashtu vlerëson lart kontributin e bashkësisë ndërkombëtare për rikthimin e qetësisë në Kosovë dhe përkushtimin e saj afatgjatë për të ardhmen e Kosovës.

Mediave vendore dhe ndërkombëtare ju bëjmë ftesë që t’i përmbahen etikës gazetareske dhe t’i kontribuojnë stabilizimit të gjendjes përmes raportimeve korrekte e të paanshme.

Investitorët potencial i ftojmë që të mos e humbin besimin në të ardhmën e Kosovës dhe të mos tërhiqen nga ky vend.

ECIKS

This website uses cookies to improve its performance and the relations with its audience. For more information on data protection see our Privacy Policy.