Drejt marrëveshjes së re tregtare me BE-në

Pas rikthimit të preferencave tregtare, prodhuesit kosovarë po presin që të eksportojnë në shtetet e Bashkimit Evropian, pa kurrfarë obligimi doganor. Për këtë punë, Kosova gjatë këtij viti pritet t’i fillojë negociatat me BE-në për arritjen e një Marrëveshjeje për Tregti të Lirë.

Përfaqësuesit e bizneseve, mirëpresin këtë marrëveshje, por kërkojnë që tregtarët të bëjnë edhe më shumë për promovimin e produkteve të tyre jashtë Kosovës.

Në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, presin që të fillojnë shumë shpejt negociatat me BE’në për Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë.

Nga zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë thuhet se pas rikthimit të masave preferenciale për prodhuesit kosovarë, gjatë këtij viti pritet të fillojnë negociatat për marrëveshje tjera.“Për Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë ne shpresojmë që gjatë këtij viti të fillojnë negociatat me Bashkimin Evropian” u tha në një deklaratë të MIT- së.
Përfitimet e kësaj marrëveshje do të ishin që Kosova do të bëhej pjesë e një tregu 500 milionë banorësh pa pasur obligime doganore. Ky do të ishte edhe një hap para në procesin e anëtarësimit në BE.

/Telegrafi/