Dollari fillon të forcohet

New York, 23 shkurt 2004 – Euro rrëzohet në bursat ndërkombëtare. Dy ditë më parë, monedha e përbashkët arriti një nivel rekord, duke u këmbyer me 1.29 dollarë amerikanë, por gjithçka është përmbysur sërish dje. Monedha e gjelbër amerikane është forcuar ndjeshëm kundrejt të gjitha valutave të huaja. Ekspertët financiarë pohojnë se “tregu është në një fazë akute, në pritje të një mesazhi nga G7, e cila ka sinjalizuar për rreziqet e një destabilitetit në taksat e këmbimit”. Kështu, sipas ekspertëve, arritja e një rekordi prej euros dhe humbja e tij brenda dy ditësh, si dhe forcimi i monedhës amerikane, e cila prej muajsh është duke vuajtur dobësinë e saj, tregon për një krizë të bursave ndërkombëtare. “Gjatë mbasditës, monedha e përbashkët europiane është kuotuar në nivelet të ulëta, rreth 1.2535 dollarë ose 4 qindarka më poshtë se rekordi historik prej 1.2927 dollarë që arriti dy ditë më parë”, -pohojnë ekspertët. Gjatë javës së kaluar dhe gjatë kësaj jave kur dollari amerikan u dobësua ndjeshëm, presidenti i Rezervave Federale të Dallasit, Robert Teer, deklaroi se nuk është aspak i preokupuar për faktin që dollari është dobësuar kundrejt euros. Edhe Alan Greenspan, presidenti i Rezervave Federale Amerikane, javën e kaluar ka pohuar se rënia e monedhës amerikane nuk është aspak burim preokupimesh për momentin, ndërsa dje presidenti i Rezervave Federale të Çikagos, Michael Moskow ka pohuar të njëjtën gjë, duke thënë se nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Këto deklarata kanë ardhur në momentin kur dollari kuotohej në nivelet më të ulëta që prej vitit 1995 kundrejt euros, jenit japonez, stërlinës, frangës zvicerane, dollarit kanadez dhe koronës daneze. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë duke vuajtur nga deficiti korrent, që shpjegon edhe krizën që kalon dollari amerikan, të cilit i bashkangjitet edhe diferenca e taksave ndërmjet vendeve europiane. Ndërkohë që vendet e euros janë duke vuajtur mbivlerësimin e monedhës së tyre, e cila bën që eksportet të jenë me çmime më të larta, duke u gjendur kështu në krizë. Krizat e dy monedhave që dominojnë tregjet financiare kanë bërë që shpeshherë nga Banka e Shqipërisë të sinjalizohet ruajtja e kursimeve në monedhën vendas shqiptare, në lekë. Edhe në tregun shqiptar reflektohen menjëherë ndryshimet e bursave ndërkombëtare. Kështu gjatë ditës së djeshme, një dollar është blerë me 104.6 lekë dhe është shitur me 105.4 lekë, kurse një euro është blerë me 132.6 lekë dhe është shitur me 133.3 lekë, duke humbur pikë ndaj dollarit në krahasim me një ditë më parë.

Kursi i Këmbimit (në Lekë)

Monedha Blerje Shitje
USD 104.6 105.4
EUR 132.6 133.3
CHF 83.6 84.2
GBP 196.0 197.0

ECIKS / Shekulli