Dollari arrin në kuotën më të lartë në 13 muaj

Tiranë, 4 korrik 2005 – Dollari amerikan vazhdoi të forcohej kundrejt euros dhe monedhave të tjera ndërkombëtare gjatë ditës së premte, kur shënoi edhe kuotën më të lartë të regjistruar që nga maji i vitit të kaluar. Tregtarët e mëdhenj vlerësuan një analizë mbi gjendjen e industrisë amerikane. Indeksi i besimit mes menaxherëve të manifakturës rezultoi shumë më i lartë nga sa pritej. Kjo gjë u interpretua nga tregjet si një rritje e mundësive që kanë Rezervat Federale për të rritur normat e interesit në SHBA, pa e prekur zhvillimin ekonomik. Euro ra nën kufirin e rëndësishëm të 1,2 dollarëve, duke i hapur rrugën drejt kuotës tjetër të rëndësishme ku një euro mund të kushtojë rreth 1,175 dollarë. Në vitin 1999, kur euro u hodh në treg, ishte pikërisht kjo kuota në të cilën u këmbye fillimisht. “Ne kemi me të vërtetë shumë nevojë që ta ulim euron nën kuotën e 1,176 dollarëve brenda këtij viti, pasi kjo gjë do të rivendoste besimin e konsumatorëve te kjo monedhë si zgjedhje afatgjatë”, – thotë John McCarthy, drejtor në këmbimin valutor të ING Capital Markets në Nju Jork. Kjo është edhe kuota më e lartë për dollarin e regjistruar në fillim të vitit 2004.

Euro ra të premten deri në kuotën e 1,1942 dollarëve, rreth 1 % më pak se kuota mesatare e ditës së enjte.

Dollari regjistroi gjithashtu edhe kuotën më të lartë dhjetëmujore kundrejt monedhës japoneze në 111,78 jen. Sot tregjet amerikane do të qëndrojnë të mbyllura, për shkak të festës kombëtare të pavarësisë. Edhe sterlina angleze ra në nivelin më të ulët 13-mujor, kundrejt dollarit dhe u kuotua në 1,7685. Gjatë javës së kaluar, “volumi i shkëmbimit ishte shumë i madh, si pasojë e thyerjes së niveleve”, – tha Tim Mazanec, strateg në Boston. “Për ditën e fundit të javës, kjo gjë është e pazakontë”. Analistët thanë se euro u dëmtua edhe si pasojë e paqartësisë politike në Gjermani, ku kancelari Gerhard Schroeder humbi votëbesimin në Parlament, ndërsa sondazhet parashikojnë humbjen e tij në zgjedhjet e ardhshme. “Të gjitha lajmet negative në këtë kohë e dëmtojnë euron më shumë sesa e favorizojnë lajmet pozitive”, – tha Brian Taylor në Nju Jork. Mbi të gjitha, javën e kaluar ishin interesat ato që dominuan tregun e këmbimit valutor. Dollari po rritet pikërisht për shkak se të enjten e kaluar, Rezervat Federale rritën sërish normën e interesit për herën e nëntë radhazi, duke e çuar interesin bazë në 3,25 %. Kjo gjë bën që investimet në tituj financiarë të emetuara në dollarë, të jenë shumë më interesante se ato në euro dhe pak më të ulëta se ato në paundin anglez apo dollarin australian, ku interesat bazë janë mbi 4,75 %.

ECIKS / Shekulli