Dogana e ATK-ja mblodhën mbi 1 miliard euro

Dy institucionet më të rëndësishme për mbledhjen e të hyrave buxhetore, Dogana dhe Administrata Tatimore e Kosovës, deri në fund të vitit, sipas parashikimeve të Qeverisë, duhet të grumbullojnë mbi 1 miliard e 100 milionë euro. Këto dy institucione deri më tani kanë arritur t’i mbledhin mbi 1 miliardë euro.

Sipas parashikimeve të ekzekutivit, Dogana e Kosovës duhet të grumbullojë 860 milionë euro. Që nga fillimi i këtij viti e deri më 5 dhjetor, Dogana ka mbledhur 768 milionë euro, shumë e cila tregon se të hyrat kanë shënuar rritje krahasuar me vitin e kaluar.

Ndërkaq, ATK-ja deri në fund të vitit është parashikuar të grumbullojë mbi 285 milionë euro. Ky institucion, në periudhën janar – nëntor, ka arritur të mbledhë 257,6 milionë euro. Në krahasim me të njëjtën periudhë të vjetme, kjo paraqet rritje prej 7% apo 16,8 milionë euro më shumë.

/Koha/