BERZH mund ta financojë TC "Kosova e re"

Para anëtarësimit formal të Kosovës në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim që pritet të bëhet më 17 dhjetor, kjo bankë tashmë ka një plan para vetes për projektet, të cilat synon t’i financojë në Kosovë.Përfaqësues të BERZH-it i thanë Radios Evropa e Lirë se janë duke i shikuar mundësitë për ta financuar termocentralin “Kosova e re”.

Svitlana Pyrkalo, këshilltare për media në BERZH, tha se investimet në sektorin e energjisë janë prioritet kyç dhe se po punojnë që së bashku me institucione të tjera ta rrisin kapacitetin e Kosovës në gjenerimin e energjisë.

“Ne po i shikojmë mundësitë për ta financuar Termocentralin e ri ‘Kosova e Re’. Eficienca dhe siguria në fushën e energjetikës janë elemente kyçe në planifikimet tona për mbështetjen e Kosovës. Në fillim të vitit 2013, banka do të nisë një bashkëpunim me disa institucione financiare në Kosovë dhe me mbështetjen e BE-së. Kjo do të synojë të rrisë garën e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në Kosovë dhe të mbështesë arritjet e qëllimeve të vendit në reduktimin e konsumit të energjisë”, theksoi Pyrkalo.

Pyrkalo tha se që nga fillimi i vitit 2013 banka planifikon t’i bëjë të paktën deri në 8 investime në banka, në kompani mikrofinanciare dhe korporata.

/Koha/