Diskutohet projektligji për shpronësimet me interes publik

Prishtinë, 7 mars 2006 – Projektligji për shpronësimet me interes publik, mund t’i procedohet Parlamentit të Kosovës sepse e ka përmbajtjen dhe cilësinë e mirë. Ky vlerësim doli sot nga dëgjimi publik i këtij projektligji, organizuar nga Komisioni për Ekonomi, Tregti, Industri, Energjetikë, Transport dhe Telekomunikacion i Kuvendit të Kosovës.

Projektligji i hartuar nga vet komisioni i përcakton rregullat mbi shpronësimin e pasurisë private, procedurën e shpronësimit dhe kompetencat mes qeverisë, komunave, personit privat, autoriteteve publike. Po ashtu përcaktohet procedura e vlerësimit dhe konditat e kompensimit apo çmimeve e cila për bazë e ka vlerën e tregut, sepse Kosova është në tranzicion drejt ekonomisë së tregut. Kryetari i komisionit Fatmir Rexhepi, tha se në dëgjim publik ku morën pjesë anëtarët e komisionit, si dhe ekspertë të tjerë vendorë e ndërkombëtarë, është dhënë vlerësim pozitiv. Projektligji do të ndihmojë në realizimin më të shpejt në planet strategjike, apo projektet për ndërtimin apo zgjerimin e infrastrukturës publike, siç janë objektet e ndryshme arsimore, shëndetësore, të rrugëve, hekurudhave, ujësjellësit etj.

ECIKS / RTK