Diaspora solli 3 miliardë euro për 6 vjet

Prishtinë, 11 janar 2007 – Një projekt-raport I Kabinetit për Qeverisje të Mirë (KQM) ka saktësuar mënyrën e vënies së parave dhe kapitalit të diasporës në shërbim të zhvillimit ekonomik të vendit. Rifat Blaku, përgjegjës i Departamentit për emigracion në KQM, vlerësoi se diaspora ka një fuqi të madhe kapitali, i cili, nëse do të absorbohej në mënyrë të organizuar, do të sillte efekte të shumta positive në vend. “Ky kapital ka një rëndësi të veçantë për vitalizmin e ekonomisë së vendit, privatizimin e pronës dhe të proceseve të tjera të filluara”. Blaku tha se transferi i kapitalit të diasporës do të ishte më interes të shumanshëm, ku do të përfitonte edhe pronari i kapitalit të kursyer, edhe qytetarët e Kosovës. Po ashtu, në një raport të KQM-së janë dhënë shënime të përafërta për numrin dhe kapitalin e emigrantëve kosovarë.

Është vlerësuar se nga rreth 400 mijë shqiptarë të Kosovës që aktualisht janë në diasporë, gjysma e të cilëve punon, brenda muajit ata dërgojnë mesatarisht nga 200 euro në familjet e tyre. Nga kjo parallogari, dërgesat mujore arrijnë në rreth 40 milionë euro, ndërsa ato vjetore 480 milionë euro. Ndërkaq, në gjithë periudhën e pasluftën llogaritet se në Kosovë kanë hyrë rreth 3 miliardë euro. Profesor Blaku, duke e arsyetuar këtë projekt, thotë se pronarët e kapitalit në realitetin e ri në Kosovë do të gëzojnë fitime si nga kursimet në banka, po ashtu edhe në investime. Në këtë kontekst, ai në raport përmend vendet si Italia, Turqia, Spanja, Portugalia, të cilat kanë shënuar rezultate me anë të këtij varianti, dhe jo vetëm në biznese të vogla, por edhe në industri e turizëm. Realizimin e këtij projekt Blaku e vlerëson si një “terapi financiare” me rezultate të pakontestueshme.

ECIKS / Gazeta Lajm