Kontributi i diasporës në zhvillimin ekonomik të vendit është tepër i rëndësishë, u tha në konferencën me temë “Tërheqja e investimeve të Diasporës në Kosovë” e organizuar nga Ministria e Diasporës.Në konferencë u tha se objektiv i kësaj ministrie do të jenë identifikimi, inkurajimi dhe përkrahja e investimeve të diasporës.
Ministrja Mimoza Kusari–Lila tha se Agjencia për Regjistrimin e Biznesit do të bashkëpunojnë me Ministrinë e Diasporës në hapjen e qendrave për regjistrim të bizneseve në Zvicër, Gjermani, Amerikë dhe Turqi. “Biznesmenët kosovarë të diasporës sot mund të shohin se regjistrimi i biznesve në Kosovë është më i lehtë, më i lirë dhe merr më pak kohë sesa muaj më parë; procedurat e eksportit dhe importit për mallrat në Kosovë janë reduktuar dukshëm, një numër i konsiderueshëm i licencave të ndërtimit është eliminuar ndërkohë që në fushën e zbatimit të kontratës janë bërë përmirësime të dukshme përmes ligjeve të cilat rregullojnë procedurat përmbarimore, noterisë dhe kadastrës”, theksoi ajo.
Ndër të tjera Ministrja Kusari – Lila përmendi edhe nënshkrimin e marrëveshjeve për mbrojtjen dhe promovimin e investimeve, ku deri tani janë nënshkruar disa marrëveshje me vendet ku jetojnë një numër i konsiderueshëm i kosovarëve.
Në vitin 2010 remitancat në Kosovë ishin 511.6 milion euro ndërsa 30% e investimeve të huaja direkte janë nga diaspora.
/Telegrafi/