Çmimi i naftës – rekord prej afro 52 USD

New York, 7 tetor 2004 – Rekorde të reja ka shënuar gjatë ditës së djeshme çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare duke shkaktuar një shqetësim të madh për ekonominë botërore. Ditën e djeshme rekordin e parë e ka dhënë bursa e Nju Jorkut, ku gjatë orëve të fundit të punës një fuçi naftë u kuotua me mbi 51 dollarë. Informacionet e marra në faqet zyrtare të agjencive të informacionit dhe atë të tregjeve ndërkombëtare bëjnë të ditur se çmimi i një fuçie naftë në Nju Jork dje ishte 51.49 dollarë dhe se ky çmim do të pësojë rritje të mëtejshme në ditët që vijojnë. Rekordi i djeshëm vjen nga ai prej 51.29 dollarësh, që “u vendos” ditën e martë. Përveç rritjes në Nju Jork, çmimi i naftës ka sjellë shqetësime edhe në bursën e Londrës ku një fuçi me naftë bruto kapi rekordin prej 47.15 dollarësh. Një ditë më parë, çmimi i fuçisë në të këtë bursë ishte 46.93 dollarë. Rekordi i Nju jorkut vjen pas 21 vitesh dhe është thyer ditën e martë.

Arsyet e pasojat

Lëvizjet drastike të çmimit të naftës kanë ardhur si pasojë e ndryshimit të ofertës botërore. Kështu, kanë qenë lëvizjet e kërkesës dhe zhvillimeve të fundit (klimaterike) në Gjirin e Meksikës që sollën ndryshimet shqetësuese në tregun e naftës. Specialistët e ekonomisë, në komentet e tyre lidhur me lëvizjet e çmimit të naftës kanë shpjeguar se tani duhet të priten një sërë ndryshimesh që do të kenë karakter makro në ekonomi dhe do të ndihen nga të gjithë konsumatorët. Kështu, lëvizjet e fundit do të rrisin çmimin e naftës së përpunuar dhe hidrokarbureve që prodhohen prej saj. Me rritjen e çmimit të naftës së papërpunuar pritet që të ketë rritje të kostove të transportit dhe kosto më të larta për të gjitha kompanitë. Nëse kostot e kompanive do të kenë rritje të konsiderueshme, atëherë mund të kemi dhe shkurtim të vendeve të punës dhe rritje të çmimeve për konsumatorët. Në pak fjalë, analistët e ekonomisë thonë se “e gjithë kjo do të thotë rënie e ekonomisë botërore”.

27 për qind e prodhimit ditor prej 1.7 milionë fuçish në ditë është ndërprerë.

Janë dëmtuar mbi 15 milionë fuçi prodhimi, ose rreth 2.5% të prodhimit vjetor të Gjirit të Meksikës.

Çmimi në Londër është rritur me 29 cent dhe ka shkuar në 47.42 USD për fuçi.

Çmimi në Nju Jork ka arritur në 51.49 USD

Nivelin ditor të çmimit mund ta merrni direkt nga lista, që gjendet në faqen e ECIKS-it (LS Crude-nymex).

ECIKS / Shekulli