Çeku: të paguhen taksat

Prishtinë, 24 prill 2007 – Kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, ka qëndruar sot në Administratën Tatimore të Kosovës dhe me udhëheqësit e këtij institucioni ka diskutuar për gjendjen e vjeljes së taksave nga tatimpaguesit kosovarë.

Kryetari i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Jonuz Krasniqi, e ka informuar kryeministrin Çeku se ATK-ja nga viti në vit ka shënuar ngritje të shkallës së realizimit të taksave. Aktualisht, ka thënë ai, rreth 80 për qind e taksapaguesve i paguajnë e i deklarojnë taksat vetë, pa pasur asnjëherë nevojë që të trokasim në dyert e tyre.

Kryeministri ka inkurajuar përfaqësuesit e Administratës Tatimore për punën e mirë, por nuk ka harruar të potencoi edhe disiplinën në rritje të taksapaguesve.

“Administrata Tatimore e Kosovës është duke bërë një punë jashtëzakonisht të mirë në mbledhjen e taksave nga taksapaguesit dhe këtë punë është duke e mbështetur në legjislacion, e cili përputhet me praktikat më të avancuara të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bashkimit Evropian”, ka thënë Çeku.

Kryeministri Çeku me këtë rast u bëri thirrje të gjithë taksapaguesve kosovarë që të paguajnë taksat, pasi që në këtë mënyrë ata kontribuojnë dhe investojnë në ndërtimin e shtetit të ri të Kosovës.

ECIKS / Telegrafi