Çdo gjë gati për licencë

Autoriteti Rregullativ i Telekomunikacionit ka publikuar tenderin për operatorin e dytë të telefonisë mobile. Në tenderin 60-faqesh janë të detajizuara kushtet qö duhet ofruar dhe metodat e vlerësimit për ofertuesit. Ofertat duhet dorëzuar deri më 17 janar të vitit të ardhshëm.

Prishtinë, 2 nëntor 2006 — Autoriteti Rregullativ i Telekomunikacionit (ART) ka publikuar tenderin për operatorin e dytë të telefonisë mobile. Ashtu siç kishte vendosur Qeveria, sistemi i vlerësimit do të bazohet në pesë pika. Çmimi i licencës është 20 milionë euro + çmimi i ofruar dhe do të notohet me 30 për qind të pikëve, niveli dhe afati i mbulueshmërisë 30 për qind të pikëve, participimi vendor (partneriteti vendor) dhe menaxhimi si dhe numri i punëtorëve vendorë, me 20 për qind të pikëve, shërbimet dhe kualiteti 10 për qind të pikëve dhe përvoja në telefoninë mobile (numri i shfrytëzuesve dhe vitet e operimit), 10 për qind të pikëve.

Sa i përket nivelit të mbulueshmërisë, në bazë të tenderit parashihet një vlerësim i detajuar. Mbulueshmëria brenda 12 muajve paraqet fazën e parë të zhvillimit të operatorit të dytë të telefonisë mobile. Ajo përfshin Prishtinën dhe Aeroportin e Prishtinës. Ndërkohë, pikë shtesë do të fitojë ai që do të ofrojë mbulueshmëri brenda vitit për qytetet me më tepër se 75 mijë banorë. Aty janë të cekura qytetet e Prizrenit, Ferizajt, Mitrovicës, Gjakovës, Pejës dhe Gjilanit. Pikë shtesë do të ketë ai që ofron mbulueshmëri në fazën e parë edhe për Vushtrrinë, Podujevën dhe Suharekën.

Zhvillimi i fazës së dytë është për periudhën 18-mujore. Pikësimi do të bëhet për mbulueshmërinë rrugore në çdo 18 kilometra. Ajo paraqet distancën prej Prishtinës drejt qyteteve tjera të mëdha, ndërsa pikë shtesë do të ketë konkurrenti që ofron edhe mbulueshmëri për rrugë tjera në mes të qyteteve të mëdha, si dhe zonave kufitare dhe atyre turistike.

Në fazën e tretë, e cila është zhvillimi brenda 24 muajve, pikësimi do të bëhet për mbulueshmëri në 29 qytetet jashtë Prishtinës. Ndërkohë, faza e katërt paraqet pikësimin në bazë të zonave të ndara në çdo 211 kilometra katrorë, të cilat janë të ndara në 52 pjesë dhe bashkërisht përbëjnë hapësirën territoriale të Kosovës. Kjo fazë duhet të jetë e kryer brenda 36 muajve. Sa i përket participimit vendor, që do të notohet me 20 për qind të pikëve, si pikë e parë është marrëveshja për partneritet lokal, ku pikësimi do të bëhet në bazë të angazhimit të bazuar në forma të ndryshme të partneritetit si nëpërmes konsorciumit, ndërmarrjes së përbashkët etj. Me pikë në këtë pjesë do të vlerësohet edhe angazhimi i menaxhmentit vendor. Me pikë do të vlerësohet angazhimi i çdo punëtori vendor si në pozitën e drejtorit menaxhues, shitje dhe marketing, operacione, financa dhe personel. Pikësim do të ketë edhe mbështetja e stafit lokal në Qendrën për Kontaktim të Konsumatorëve në Kosovë.

Sa i përket pikësimit në pjesën e shërbimeve dhe kualitetit të tyre, që participon me 10 për qind të vlerësimit, pikët do të ndahen për çdo shërbim bazik të ofruar si shërbimet SMS, MMS, WAP 2.0, GPRS, e-mail, pastaj shërbimet e ashtuquajtura X, Y dhe Z etj. Pikë shtesë do të ketë për konkurrentin që ofron shërbime shtesë apo zgjidhje si zëvendësimin e telefonave fiksë, pastaj virtual PBX, zgjidhjet XX, YY etj.

Tek kualiteti i shërbimeve vlerësimi do të bëhet për kualitetin e tyre në hapësirën e interferencës si gjasa e bllokimit në 2 për qind apo më mirë. Një element tjetër i vlerësimit është edhe përvoja në telefoninë mobile.

Përparësi do të ketë zgjerimi në tregje, ndërsa aplikanti që nuk është i pranishëm të paktën në një treg të telefonisë mobile, nuk do të marrë fare pikë në këtë sektor. Pikësimi i aplikantit do të bëhet për çdo treg ku ai është i pranishëm, ndërsa pikë shtesë do të ketë për çdo vit të përvojës në telefoninë mobile.

Çmimi i ofruar për licencë starton në 20 milionë euro. Çdo çmim i ofruar nën këtë shumë nuk do të pranohet fare. Ndërsa, si referencë për pikësim do të jetë oferta më e lartë e cila fiton 30 për qind të pikëve, ndërsa në bazë të saj do të bëhet pikësimi për ofertat më të ulëta.

ART-ja do t’ia lëshojë fituesit të tenderit licencën për 15 vitet e ardhshme. Afati i fundit për ofertimi është 17 janari i vitit të ardhshëm. Kur llogaritet se komisionit vlerësues do t’i duhen disa ditë që t’i vlerësojë ofertat dhe ta shpallë fituesin, atëherë del se operatori i dytë i telefonisë mobile nuk mund t’ia fillojë punës të paktën deri në mars të vitit të ardhshëm.

Gazeta Express