Çalik & Limak premton deri në 500 milionë euro investime

Privatizimi i KEDS-it është proces i drejtuar nga Qeveria, konform vendimit të Kuvendit për të kryer procedurat në mënyrë transparente, të hapur, konkurruese sipas standardeve ndërkombëtare, ka deklaruar ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj.

Këto komente Beqaj i bëri në takimin publik të Komitetit Qeveritar të Privatizimit të KEDS-it, ku Konzorciumi Çalik&Limak ka prezantuar strukturën e tij dhe planet e tij për investime në rrjetin e distribucionit në Kosovës.

“Çdo vendim i marrë lidhur me KEDS-in në KQP është vendim i plotë, i harmonizuar me votim unanim në fazën finale është verifikuar në Qeverinë e Kosovës, e cila pas shpalljes së ofertuesit të preferuar ka marrë qëndrim që të procedohet më tej me fituesin e preferuar dhe të hyhet në marrëdhënie negociatore për definimin e kontratës në mes të KQP-së dhe Konzorciumit Çalik&Limak”, tha ai.

Ai ka tërhequr vërejtjen se nëse Qeveria konstaton se nuk respektohet kontrata nga ana e investitorit, do të ndërpresë kontratën dhe do të marrë në pronësi ndërmarrjen pa obligimet financiare.

Më pas përfaqësuesi i Konzorciumit, Çalik&Limak, Serhan Can ka prezantuar një historik të profilit dhe punës së realizuara nga kompanitë Çalik Holding dhe Limak dhe planet për KEDS-in gjatë 15 viteve të ardhshme.

Can ka premtuar deri në 500 milionë investime, nga të cilat 200 milionë në rrejtin aktual të shpërndarjes së energjisë, uljen vjetore të humbjeve për 3% dhe mbajtjen e burimeve njerëzore duke avancuar përgatitjet tyre përmes trajnimeve profesionale.

/Telegrafi/