Buxheti për 2005-n, 670 milionë euro

Prishtinë, 3 nëntor 2004 – Komisioni buxhetor ka parashikuar që kufitjë e buxhetit të jenë 47 milionëë euro më shumë se sa ishte parashikuar, ndërkohë që mund të rishikohen përsëri kufijtë e tij.

Për vitin e ardhshëm buxheti i Kosovës parashikohet të jetë afërsisht 670 milionë euro. Kërkesat e agjencive buxhetore për vitin 2005 ishin rreth 1 miliard euro, mirëpo Komisioni për Buxhet ka përcaktuar kufijtë e rinj buxhetorë për vitin e ardhshëm, që do jenë 666.5 milionë euro. Komisioni pasi ka shqyrtuar tërë procesin buxhetor, bëri të ditur se këta kufij të buxhetit për vitin 2005 do të jenë 47 milionë euro më të lartë se sa ishte parashikuar më parë. Ali Sadriu, ministër i Ekonomisë dhe Financave tha se qeveria ka të drejtë të shqyrtojë edhe njëherë kufijtë e përcaktuar. Nga shuma e përcaktuar, 622.8 milionë euro janë të hyra të përgjithshme që do të realizohen gjatë vitit fiskal 2005. Por kësaj shume i janë shtuar edhe 30 milionë nga fitimet e Postës dhe Telekomunikacionit të Kosovës dhe 13.7 milionë që duhen rikthyer nga Aeroporti, i cili nuk ka arritur t’i realizojë projektet. Të gjitha këto së bashku arrijnë shumën e përgjithshme prej 666.5 milonë euro. Më së shumti mjete nga buxheti ka kërkuar Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (AKM), kërkesa e të cilës ka qenë 154 milionë euro, por kjo është vlerësuar e papranueshme nga komisioni buxhetor. Ministri Sadriu tha se kërkesa e AKM-së nuk është pranuar në shumën e kërkuar, ndërsa është vendosur që ajo të marrë 141 milionë euro për vitin e ardhshëm. Kërkesat e agjencive shpenzuese janë shqyrtuar, por komisioni ka këkruar propozime konkrete për ndryshime specifike mbrenda kufijve buxhetorë. Po dje janë bërë edhe dy ndryshime specifike brenda këtyre kufijve nga ana e Kuvendit dhe Ministrisë së Shërbimeve Publike, ndërsa ndryshime të tilla priten edhe nga ministritë e tjera. Tërë procesi i cili duhet të kalojë nëpërmjet qeverisë, Kuvendit dhe Këshillit Ekonomik Fiskal, do të përmbyllet vetëm pasi të jetë nënshkruar nga shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara.

ECIKS / Biznesi