AER: 370 milionë euro të investuara për energjinë

Prishtinë, 3 nëntor 2004 – Bashkimi Evropian gjatë periudhës pesë vjeçare ka ndarë 940 milionë euro për Kosovën, nga të cilat 374 milionë për sektorin energjetik. Kështu thanë sot zyrtarët e Agjencisë Evropiane për Rindërtim (AER) në një konferencë për media në Prishtinë. Ata pohuan se pas riparimeve në bllokun e dytë të Termocentralit Kosova B të kryera ditë më parë, të dy blloqet e këtij termocentrali do të prodhojnë më së paku 600 megavat, që i përmbush kërkesat e Kosovës.

Riparimet në bllokun e dytë të Termocentralit Kosova B, i ka kryer kompania “Alstom”, që sipas zyrtarëve të AER-it, ka bërë ofertën më të mirë nga pikëpamjet ekonomike dhe teknike. Ndërsa dorëzimi tek menaxhmenti i Korporatës Elektroenergjetike të Kosovës është bërë të premten, tha drejtori i projektit për rehabilitimin e bllokut të dytë të termocentralit Kosova B, Balduin Cimer: “Jemi të sigurtë se pas punës që është bërë në blloqet një dhe dy të termocentralit Kosova B, jo vetëm nga Alstomi por edhe nga KEK-u, secila nga këto dy blloqe do të mund të prodhojë nga 300 megavatë, dhe kjo energji është e mjaftueshme për kosovarët, por varet edhe nga ajo se sa shpenzojnë konsumatorët sidomos gjatë periudhës së dimrit”. Kontrata me kompaninë Alstom e cila jep garancion për riparimet vetëm për një vjet, ka qenë në vlerë mbi 38 milionë euro. Ndërsa për mirëmbajtje të paisjeve, sipas Baldiun Cimerit, KEK-u duhet të realizojë kontratë shtesë, e në këtë drejtim do të shqyrtohet oferta e Alstomit. Menaxheri i projektit për rehabilitim të “B2”, Agron Orana tha se nëse KEK-u do të bëjë kontratën me Alstomin për mirëmbajtje, atëherë do të arrijë të sigurojë punë funksionale të pajisjeve për së paku 15 deri në 20 vjet. Ndërsa pohoi se riparimet në këtë termocentral janë sipas standardeve.

Në konferencën për media, koordinatori i qendrës operacionale të AER-it në Prishtinë, Odran Hajes tha se kjo agjenci ka ndarë edhe dy millionë euro për dy studime, studimin për miniera dhe për studimin për termocentralin e ri.

ECIKS / RTK