Buxheti mbi 1 miliardë euro

Buxheti i Kosovës për vitin 2008 do të jetë 1 miliard e 27 milionë euro, ndërsa të hyrat 815 milionë euro. Rezervat shtetërore janë gati zero. Në rast të ndonjë fatkeqësie, qeveria lë kosovarët në duart e Zotit. Opozita vlerëson se qeveria po e harton buxhetin kot, ndërsa ekspertët rritjen e deficitit e vlerësojnë të rrezikshëm.

Prishtinë, 2 nëntor 2007 (Express) – Ende është aktuale rritja enorme e artikujve elementarë ushqimorë, duke filluar nga buka. Qeveria nuk pati fuqi të reagojë, por nuk është mbushur mend. Avazi i njëjtë do të vazhdojë edhe gjatë vitit 2008, kur do të shtirren gati krejtësisht rezervat, të cilat do ta mbulojnë deficitin buxhetor.

Qeveria është përkujdesur sërish të bëjë një sensacion gjatë fushatës zgjedhore, kësaj radhe me peshën e kuletës shtetërore. Buxheti i Kosovës për vitin 2008 do të jetë fiks 1 miliard e 27 milionë euro. Ministria e Ekonomisë dhe Financave (MEF) tashmë ka finalizuar draftin e këtij buxheti dhe gjatë javës së ardhshme pritet t’ia dërgojë së pari qeverisë për miratim e më pas edhe Kuvendit të Kosovës.

“Jemi në limitet kohore. Shpenzimet buxhetore do të jenë rreth 1 miliard e 27 milionë euro, ndërsa të hyrat rreth 815 apo 816 milionë euro”, tha Behxhet Brajshori, zëvendësministër i Ekonomisë dhe Financave. Sipas tij, për këto është konsultuar edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe deri tani ata nuk kanë dërguar asnjë koment negativ. Shefi i FMN-së për Kosovën, Edgardo Ruggiero, nuk ka dashur të komentojë këtë me arsyetim se për momentin është shumë i zënë me prioritete tjera.

Por, sipas burimeve të Express, FMN-ja është kundër kësaj strukture buxhetore. Madje kjo shihet edhe në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve (KASH) të përpiluar nga vetë MEF-i. Aty ceket qartë se në koston rrjedhëse qeveria është marrë vesh me FMN-në për një rritje vetëm prej 43 milionë eurosh. Ndërsa, në bazë të draft buxhetit, shpenzimet do të rriten për 300 milionë euro. Të hyrat e parapara prej 815 milionë eurosh janë 60 milionë euro më të larta se ato të parashikuara në KASH, duke paraqitur një deficit të parashikuar prej 210 milionë eurosh. Arka e shtetit rrezikon të mbetet pa para, sepse mbi 500 milionë euro parashihet të vilen në kufij, ndërsa Kosova tashmë ka liberalizuar tregun me të gjitha vendet e rajonit prej nga vijnë pjesa kryesore e mallrave të importuara.

Brajshori tha se paratë do të sigurohen nga rritja e të hyrave që parashihet nga të gjitha llojet e tatimeve. MEF-i ka në dispozicion edhe suficitin e parashikuar të këtij viti, që vije kryesisht nga 75 milionë euro të paguara gjatë këtij viti nga operatori i dytë i telefonisë mobile-Ipko Net, si dhe tepricat tjera të cilat janë duke u krijuar si mungesë e investimeve kapitale.

Por rezervat shtetërore me këtë buxhet do të zbriten edhe më tutje. Sipas KASH-it, ato do të ulen duke kaluar nga 17 milionë euro sa janë gjatë vitit 2007 në vetëm 10 milionë euro më 2008. Qeveria nuk ka bërë të ditur investimet në ndonjë projekt të madh kapital as vitin e ardhshëm. Por rritja e buxhetit ka të bëjë më shumë më rritjen e pagave në sektorin e arsimit, si dhe rritjen e pensioneve për kontribuuesit gati 100 për qind. Si vendimin për hartimin e buxhetit, ashtu edhe atë për rritjen e pensioneve, sipas opozitës, qeveria po e bën kot.

“Kjo qeveri që është në fuqi nuk do të mund ta dërgojë buxhetin në Kuvend. Atë duhet ta bëjë qeveria e re. Kjo nënkupton se ne në vitin e ardhshëm do të hyjmë pa buxhet të miratuar. Për dy muaj do të bëhet financimi i jashtëzakonshëm i institucioneve, ndërsa buxheti do të miratohet tek kah fundi i marsit”, tha Nazim Jashari, anëtar i Komisionit të Kuvendit për buxhet nga Partia Reformiste ORA. Sipas tij, prioritetet rreth buxhetit i takojnë qeverisë së re.

Ekspertët vlerësojnë se qeveria është treguar e paaftë dhe nuk ia ka bërë hyzmetin rritjes së buxhetit.

“Qeveria aktuale gjatë gjithë kohës nuk ka treguar aftësi profesionale për të menaxhuar mjetet publike”, tha Flamur Keqa nga Oda Ekonomike e Kosovës. Ai vlerësoi se kjo qeveri ka pasur mundësi të ndërmerr reforma në shumë sfera ekonomike me çka do të ndikonte realisht në shtimin e buxhetit.

“Përkundër rekomandimeve dhe kërkesave për reforma të drejtuara nga OEK-u por edhe akterë tjerë, institucionet qeveritare nuk kanë treguar gatishmëri për këtë”, tha Keqa. Sipas tij, sikur këto kërkesa të ishin miratuar më herët, atëherë ai beson se viti 2008 do të rezultonte me rritje të të hyrave buxhetore dhe rrjedhimisht edhe rritje të shpenzimeve buxhetore.

“Prandaj është paradoksale dhe jo pa rrezik shtimi i deficitit”, tha Keqa. Sa i përket çështjes se a duhet ta hartojë buxhetin qeveria aktuale apo t’i lihet qeverisë së re, Keqa tha se më i rrezikshëm është potezi i vendimmarrjes nga aspekti profesional, sepse procesi i miratimit të buxhetit kërkon kohë, që do të thotë së duhet inicuar më herët dhe i ka afatet e veta.

Gazeta Express