Vatra Qehaja
Prishtinë, 1 nëntor 2007 (Koha Ditore) – Qeveria e Kosovës ka vendosur që prej një dhjetorit të shfuqizojë Memorandumin e nënshkruar mes KEK-ut, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë për Energji dhe Miniera për kushtëzimin e regjistrimit të veturave me pagesën e faturave të rrymës, ka deklaruar zëdhënësi i Qeverisë, Avni Arifi. Sipas tij, qeveria ka marrë një vendim të tillë pasi që ka mbikëqyrur së afërmi implementimin e këtij memorandumi.
Po të mërkurën në mbledhjen e rregullt Qeveria i ka rekomanduar KEK-ut që të vazhdojë inkasimin e taksës prej 3.5 eurosh prej RTK-në.
Ministri i Energjisë dhe Minierave, Ethem Çeku, i ka thënë “Kohës Ditore” se një vendim i prerë lidhur me suspendimin e memorandumit nuk është marrë ende. Sipas Çekut, kjo mund të ndodhë vetëm nëse vërtetohet që KEK-u është bërë një ndërmarrje financiarisht e vetqëndrueshme dhe se një dhjetori është vetëm data kur pritet të bëhen vlerësimet përfundimtare.
“Gjithçka varet nga niveli i të hyrave të KEK-ut”, ka thënë ministri. Ai ka theksuar se memorandumi me MPB-në deri tash ka treguar rezultate shumë pozitive.
Edhe zyrtarët e KEK-ut kanë pohuar se ndikimi i memorandumit në inkasim deri më tani është pozitiv. “Nuk mund të thuhet saktësisht se në çfarë përqindje të saktë ka ndikuar kjo marrëveshje në inkasim, mirëpo definitivisht është e ditur se ndikimi ka qenë pozitiv”, ka thënë zyrtari për informim i KEK-ut, Nezir Sinani.
Megjithatë, sipas zëdhënësit të Qeverisë, Avni Arifi, rezultatet pozitive që ka sjell memorandumi nuk mjaftojnë që ky memorandum të mbetet në fuqi.
“Natyrisht së fillimisht ka pasur efekte shumë pozitive dhe është rritur shkalla e inkasimit, por Qeveria mendon se ky memorandum kategori të caktuara të shoqërisë po i sjell në gjendje të vështirë, andaj ka vendosur që nga një dhjetori ta pezullojë”, ka pohuar Arifi. Suspendimin e Memorandumit e ka rekomanduar edhe UNMIK-u para ca javësh.
Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës i ka rekomanduar Bordit të KEK-ut që KEK të vazhdojë inkasimin e 3.5 eurove në emër të parapagimit për RTK-në.
“Qeveria e Kosovës kërkon nga bordi i KEK-ut që të vazhdojë inkasimin e 3.5 euro për RTK-në. por njëkohësisht kërkon nga bordi i KEK-ut që të shqyrtojë dhe të mbrojë të gjithë ata që, ndonëse kanë orë rryme, programet televizive nuk janë pjesë e aktiviteteve të tyre”, ka thënë Arifi. Ai ka thënë se në grupin e objekteve të cilat KEK-u duhet t’i përjashtojë nga inkasimi i 3,5 eurove janë objektet fetare, si dhe bizneset që kanë më shumë se një orë dhe që tani obligohen të paguajnë 5 apo 6 herë për RTKnë.
“Bordi i KEK-ut duhet të shikojë mundësinë që këta njerëz t’i lirojë që të mos ketë dyfishim të pagesave për RTK-në”, ka thënë Arifi, duke shpalosur propozimin e Qeverisë. Po ashtu Qeveria e Kosovës ka rekomanduar që në zonat ku nuk ka sinjal të mirë të RTK-së KEK-u t’i lirojë qytetarët nga pagesa e 3.5 eurove.
Kur pat marrë vendim për ta shkëputur marrëveshjen me RTKnë, KEK-u pati deklaruar se kontrata me Televizionin publik i sillte humbje të mëdha, meqë KEK-u duhej t’i paguante të hollat për taksat për tërë energjinë e faturuar, ndërkohë që nuk ishte në gjendje t’i inkasonte të gjitha mjetet.
Qeveria, përveç kërkesave për bordin e KEK-ut, nga Bordi i RTK-së ka kërkuar që këta të fundit të rishqyrtojnë politikën e saj redaktuese dhe të garantojë paanësinë politike, sidomos në këtë situatë kur Kosova po hyn në fushatë zgjedhore. “Qeveria e Kosovës vlerëson se është e domosdoshme që bordi i RTK-së të shqyrtojë se a janë të paanshëm apo jo. Sa e dëshirueshme aq edhe e domosdoshme që RTK-ja të jetë e paanshme dhe në shërbim të qytetarëve të Kosovës. Në këtë kontekst RTK-ja gëzon përkrahjen dhe mbështetjen e plotë të Qeverisë në mënyrë të vazhdueshme”, ka theksuar Arifi.
Ndryshe, ai ka shtuar se, sipas raportit që ka marrë nga ministri i MEM-it, Ethem Çeku, furnizimi i qytetarëve me rrymë në vend është stabilizuar.
“Së pari është me rëndësi të potencohet se ka përfunduar remonti i bllokut B dhe ka përfunduar suksesshëm. Të gjitha indikacionet janë se pritet një furnizim i qëndrueshëm i Kosovës me energji elektrike gjatë periudhës së dimrit”, ka pohuar Arifi. Siç ka pohuar ai, në të ardhmen KEK do të vazhdojë të aplikojë planin ABC por me reduktime më të vogla. Kështu pritet që kategoria A të ketë rrymë 24 orë, kategoria B të furnizohet sipas planit 5 me 1 në favor të dritës ndërsa kategoria C sipas planit 2 me 4.
Në një njoftim të lëshuar nga KEK-u për gjendjen me furnizim gjatë ditës së mërkurë, thuhej se të gjitha kategoritë do të kenë nga një orë reduktim më shumë. Zyrtarët e KEK-ut kanë thënë se rekomandimet e bëra nga Qeveria do të fillojnë t’i shqyrtojnë vetëm pasi që ato t’i pranojnë me shkrim.
“Menaxhmenti i KEK-ut i përkrahur nga Bordi i Drejtorëve të KEK-ut ka mbështetur vendimin për shkëputje të kontratës me RTK-në për inkasim të 3.5-shit për shkaqe kryekëput financiare, me ndikim negativ në trendin e inkasimit në KEK.
KEK-u ka dëgjuar përmes medieve për rekomandimet e Qeverisë dhe do u përgjigjet këtyre rekomandimeve pasi të pranojë të plota të njëjtat rekomandime me shkrim”, ka thënë Nezir Sinani, zyrtar për informim në KEK.
ECIKS / Koha Ditore